Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se autoritetet e Serbisë po përgatiten për arrestimin e Milan Radojçiqit, që e ishte kreu i grupit në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Trajkoviq ka theksuar se kjo lëvizje e Beogradit vjen si pasojë e pranimit të një kushti të vendosur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për vizitën e tij në Serbi.
Në një intervistë për N1, Trajković ka bërë të ditur se autoritetet serbe kanë kërkuar zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës materiale për sulmin në Banjskë, me qëllim të përgatitjes së arrestimit të Radojçiqit.
“Lajmi i ri është se gjyqësori i Serbisë, prokuroria dhe autoritetet e Serbisë kanë kërkuar zyrtarisht materiale nga autoritetet e Kosovës për Banjskën dhe se do të përgatisin seriozisht arrestimin e Radoiçiqit. “Vuçiq e pranoi”, ka thënë Trajkoviç në N1.
Se autoritetet serbe kanë parashtruar një kërkesë zyrtare për ndihmë juridike reciproke për të siguruar provat e nevojshme për ndjekjen penale të Radojçiqit e ka thënë edhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier, në një interviste për Radio Evropa e Lirë.
“Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka thënë Hovenier.