Profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Alban Zeneli, ka thënë se trajtimi i gazetarëve gjatë raportimit të situatave në veri të vendit paraqet një urrejtje etnike.
I ftuar në “Rreth e rrotull” të RTV Dukagjini, Zeneli ka thënë se kjo ndodh nga fakti se janë shqiptarë.
“Ajo çka kemi parë nga e premtja e deri sot, ose në fakt dhunën që e kemi pa ndaj mediave shqiptare dhe gazetarëve, sikurse në dëmtimin e pronës së mediumeve sikurse në fyerjet që iu janë bërë kolegëve tanë në veri të Kosovës, mund të vijmë deri tek një konkludim që kjo në fakt është një urrejtje etnike, sepse sulmohen vetëm mediat në gjuhën shqipe dhe sulmohen vetëm gazetarët shqiptarë”, ka thënë Zeneli.
Tutje, ky i fundit ka theksuar se një problem të kësaj natyre nuk e kanë gazetarët serbë.
Profesori Zeneli ka thënë se shqetësuese mbetet edhe pjesa e sigurisë së gazetarëve dhe të kameramanëve. Në rast se KFOR-i dhe Policia e Kosovës nuk mund të ofrojnë një gjë të tillë, ata duhet ta thonë këtë.
“Ne nuk mund të presim që forcat e sigurisë të merren ekskluzivisht me sigurinë e gazetarëve, por jam shumë i sigurt që gazetarëve i duhet ofruar siguri atje, qoftë nga Policia e Kosovës apo nga ana e KFOR-it”, ka treguar Zeneli, gjersa ka theksuar se në të kundërt, të dyja organizatat duhet treguar se nuk mund të garantojnë një të tillë.
Sipas Zenelajt, e rrugës do të ishte që gazetarët të pajiseshin me mjete mbrojtëse si dhe të kishin një njohës të gjuhës me vete.
Nga e premtja, serbët lokalë protestuan kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet e komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Rreth 25 ushtarë kanë pësuar lëndime nga situatat e shkaktuara në veri. Ndërkaq, vetura të ekipeve të gazetarëve nga të gjitha mediat në vend, përfshirë edhe të RTV Dukagjini, janë vandalizuar.