Në një shoqëri, sikur kjo që po jetojmë, tash mënyra më e mirë dhe e duhur, për të transmetuar diçka është televizioni. Dhe transmetimet në platforma të ndryshme, me apo pa dashje, nëpërmjet TV-së, shpeshherë transmetojnë pamje të rënda dhe dhunë.
Dhuna ndikon në formimin dhe transformimin e të rinjve drejt asaj që s’mund ta justifikojmë dhe ta racionalizojmë drejt së “keqes” (në këtë rast dhuna direkte), e cila transmetohet dhe promovohet, jo vetëm në televizionet botërore, por edhe në ato vendore.
“It’s my home” është show televiziv i transmetuar gjatë ditëve të fundit në televizionin First Channel. Megjithatë, ende pa e mbushur një javë transmetim, të mërkurën e 14 shtatorit, në këtë program televiziv janë paraqitur skena të dhunës fizike mes dy konkurrentëve të gjinisë së kundërt. Një gjë e tillë, bëri që policia dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) të ndërhyjnë, me qëllim që një përmbajtje e tillë të mos transmetohet te publiku.
Në lidhje me këtë rast, për portalin Dukagjini kanë folur studiues të mediave dhe sociologë.
Për reagimin e KPM-së, profesori universitar, Muhamet Jahiri, ka thënë se vendimmarrja për ndërprerjen e këtij show-i ka qenë e ngathët dhe e vonshme.
“KPM-ja duhet të jetë më vigjilente në obligimet që ka dhe të punojë më shumë, pasi edhe në këtë rast, reagimi ishte atëherë kur narracioni u bë diskutim publik”, ka thënë Jahiri për Dukagjinin.
Megjithatë, për përmbajtjet e dhunshme të shfaqura në televizion, profesori Jahiri theksoi se në ditët e sotme, jo rastësisht, audienca përdor një diskurs të degraduar, një gjuhë të urrejtjes dhe ka tendencë të dhunës. Sipas tij, e gjithë kjo vjen si rezultat i ndikimit të përmbajtjeve mediale të shfaqura në televizion.
Për këtë ka folur edhe sociologu Genc Xërxa, i cili ka vlerësuar se programi televiziv “It’s my home”, është joedukativ dhe joadekuat për t’u transmetuar te publiku.
“Transmetimi i programeve të tilla televizive po bëhet për të krijuar shikueshmëri, gjithnjë e më shumë ka tentativë për këtë”, është shprehur Xërxa.
Ndërkaq, i pyetur se a ndikojnë përmbajtjet e tilla te publiku, sociologu shtoi se rinia është më kurioze për shfaqjet televizive, njëkohësisht, ajo ndikohet më së shumti. Sipas tij, kjo e fundit ka qenë target grupi i këtij show-i televiziv.
“Rinia është më e interesuar, por duke i komentuar emisionet ndikohet, për shkak se në emisione të tilla ka keqkomunikim, fjalë banale dhe ofendime, të cilat mund të çojnë te konfliktet mes individëve”, ka thënë Xërxa për Portalin Dukagjini.
Ngjashëm mendon edhe ligjëruesi në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, sociologu Albert Mecini, i cili thotë se dhuna e transmetuar në media ndikon negativisht te të gjitha grupmoshat shoqërore, por me theks të veçantë te të rinjtë dhe adoleshentët, për shkak se ndodhen ende në një fazë të ndjeshme të zhvillimit të tyre.
Mecini, gjithashtu, theksoi se mediat kanë kornizat e tyre ligjore, por një pjesë jo e vogël e mediave nuk i përmbahen standardeve dhe specifikave të raportimit mediatik, gjë që krijon shumë probleme.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe profesori universitar, Alban Zeneli, i cili theksoi se Komisioni i Pavarur i Mediave duhet ta përditësojë rregulloren.
Rëndësia e edukimit medial rritet, veçanërisht në raste të tilla, kur shihet se përmbajtjet e transmetuara në televizon nuk janë dobiprurëse. Edukimi mbi median synon rritjen e aftësive dhe vetëdijësimin e audiencës mbi të kuptuarit e përmbajtjeve mediale, Jahiri thotë se kësisoj audienca nuk do të përcillte përmbajtje të tilla.
“Edukimi medial mbetet çelësi i përgatitjes së audiencës për të mbrojtur dhe zhvilluar shkathtësitë në përdorimin e mediave. Kjo do të ndikonte edhe në zbehjen e këtyre përmbajtjeve të dëmshme, sepse një publik i edukuar mirë, bëhet refuzues ndaj përmbajtjeve që promovojnë antivlera dhe kështu këto ngjarje e humbin vëmendjen”, përfundoi Jahiri.
Të njëjtin mendim e ndajnë edhe sociologët e kontaktuar nga Portali Dukagjini, të cilët shtojnë se futja e edukimit medial si lëndë përmban një rëndësi të madhe, sepse kjo do të ndikonte në të mirë të opinionit publik.