Shumë flamuj të Serbisë i janë shtuar javëve të fundit, objektit të komunës së Zubin Potokut.
Ata duket se i ka vendosur grupi i dyshuar kriminal serb, “Brigada e Veriut”.
Kjo pasi, mbishkrime të këtij grupi janë vendosur në hyrje të objektit.
Një situatë më normale duket në objektin e komunës së Zveçanit.
Mirëpo, në të dy institucionet disa nga shërbimet po vazhdojnë të ofrohen.
Në këto dy komuna, por edhe në Leposaviq, kryetarët e rinjë shqiptarë akoma nuk kanë nisur zyrtarisht punën.
Betimi, sipas Arianit Abazit nga Ministria e Pushtetit Lokal do të ndodhë deri në fund të javës.
Sipas asaj që ka mësuar Televizioni Dukagjini, disa nga lokacionet e diskutuara për betim, janë zyret për komunitete në Zubin Potok, Zveçan e Leposaviç, zyre të cilat ndodhen në fshatra shqiptare.
Juristi Qëndrim Arifi thotë se sipas ligjit, lokacioni nuk paraqet ndonjë problematik.
Qëndrim Arifi, avokat ka thënë se”Në aspekt se ku është hapësira që duhet të bëhet betimi. E rrugës do të ishte të bëhej në sallën e Kuvendit Komunal, aty ku ka qenë gjithmonë, mirëpo jo të mbesim peng i hapësirës, sepse ligji nuk ka qenë rigjid në këtë pjesë. Mjafton që betimi të bëhet para anëtarëve të Kuvendit Komunal dhe kështu do të duhej të ishte rruga e betimit të këtyre kryetarëve”.
E ligji nuk është i prerë as për hapësirën se ku duhet t’i zhvillojnë aktivitetet komunarët.
Arifi ka th֝ënë tutje se “Nuk është e hijshme të qeveriset në mënyrë kushtimisht të them “klandestine”, nëpër vende të improvizuara e kështu me radhë. Mirëpo, nuk mund të thotë një jurist që nuk mund të qeveriset. Mund të qeveriset sepse qeverisja është dokument, është veprim juridik administrativ”.
Për çështjen e betimit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se kanë disa vërejtje.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në lidhje me ceremoninë e betimit të kryetarëve në katër komunat veriore, ka kritikuar Qeverinë për neglizhencë të veprimeve.
Kreu i PDK-së në emisionin “FIVE” ka thënë se Qeveria është dashur t’i krijojë kushtet dhe kontekstin që kryetarët ta bëjnë betimin e jo t’iu bëjë presion kandidatëve përmes ministrave të linjës që të ndërrohet vendi për ceremoninë e betimit.
Ndryshe nga katër komunat e tjera veriore, në të cilat akoma nuk është caktuar lokacioni i seancës së parë solemne, në Mitrovicë të Veriut, seanca u mbajt në objektin e komunës.