Në Mitrovicën e Veriut janë fshirë disa murale që ishin bërë në vendin ku nderoheshin tre terroristët e vrarë në Banjskë nga Policia e Kosovës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur disa persona janë filmuar duke ngjyrosur mbi ato murale që të mos duken më.
Videoja e siguruar nga Dukagjini tregon momentin kur tre individë po punonin në fshirjen e imazheve që ishin vendosur për të nderuar terroristë serbë që humbën jetën një vit më parë, gjatë sulmit në Banjskë.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Policia e Kosovës arriti të parandalojë përshkallëzimin e situatës së sigurisë, duke neutralizuar grupin terrorist serb në veri.
Nga sulmi terrorist në Kosovë, pjesë e të cilit grup, udhëheqës ishte Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania, si dhe i kërkuar nga Kosova nën dyshimin për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.