Të hënën, më 31 korrik, rreth orës 06:46 të mëngjesit, një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Suharekë-Prizren, konkretisht, në fshatin Grejkovc.
Në njoftimin e Policisë thuhet se dy vetura civile janë përplasur, ndër të cilat njëra ishte e zyrtarëve policorë.
Tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Prizren Veri, duke udhëtuar me automjet privat drejt vendit të punës, janë përfshirë në aksident.
Si pasojë e përplasjes, të tre zyrtarët kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa, nuk ka pasur të lënduar nga pala tjetër e përfshirë në aksident.
“Në aksident janë të përfshirë dy vetura civile. Në njërën veturë civile kanë qenë tre zyrtar policor të Stacionit Policor Prizren Veri, të cilët me uniform por me automjet privat ishin rrugës për në punë, për të marr detyrën. Si pasoj e aksidentit tre zyrtarët policor kanë pësuar lëndime trupore, njëri nga ata lëndime të rënda por jashtë rrezikut për jetë, ndërsa nga pala tjetër nuk kishte të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë shikimin e vendit të ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit, ku njëri prej të lënduarve që ka lëndime të rënda do të qëndrojë në spital për trajtim të mëtutjeshëm.