Tre persona kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin e Vushtrrisë, të martën e 20 shkurtit.
Njëri nga të lënduarit dyshohet se ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit dhe i njëjti është transferuar në SHSKUK.
Nga hetimet e para të zhvilluara bëhet e ditur se incidenti ndërmjet të dyshuarve dhe viktimës ishte si rrjedhojë e një mosmarrëveshjeje të ndodhur në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë.
“Sot, rreth orës 11:46, është raportuar se tre persona kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin e Vushtrrisë. Sipas mjekut, njëri nga të lënduarit (viktima) ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, i njëjti është transferuar në SHSKUK-së për tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Veprimet policore kanë rezultuar me gjetjen e një gëzhoje në vendin e ngjarjes, ndërsa si pjesë e hetimeve të zgjeruara janë realizuar edhe bastisje, me ç’rast në njërin lokacion të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë e shkurtër e pistoletë me nëntë fishekë.
“Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’ i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa i dyshuari për veprën ‘lëndim trupor’ është liruar në procedurë të rregullt”.
Hetimet po zhvillohen për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Lëndim trupor” dhe ” armëmbajtje pa leje”.