Stacioni Policor në Gjakovë ka identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar për rastin e zjarrit që shpërtheu në Muzeun e Vjetër të Muzikës më datë 30 gusht, në orën 18:30.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, në një përgjigje për Dukagjinin, ka thënë se tre të dyshuarit e mitur gjatë intervistimit kanë pranuar se kanë kryer veprën penale.
“Po. Janë arrestuar 3 persona, që të gjithë të mitur. Të njëjtit në prani të avokatit mbrojtës, gjatë intervistimit në polici kanë pranuar kryerjen e veprës penale”, ka thënë ai.
Ngjarja, e cila shkaktoi dëme të mëdha materiale në Muzeun e Muzikës, është raportuar te policia nga një person i panjohur dhe të gjitha njësitë e nevojshme kanë reaguar menjëherë.
Policia e Gjakovës, siç thuhet në komunikatën e dërguar për Dukagjinin, duke pasur parasysh peshën e ngjarjes dhe ndjeshmërinë e saj, ka transferuar rastin për hetim në Sektorin e Krimeve të Rënda.
Pas një pune intensive, hetuesit policorë kanë identifikuar tre persona të moshës së mitur si të dyshuar kryesorë të veprës.
“Më datë 31.08.2023, pas një pune intensive hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë tre persona të moshës së mitur, të dyshuar si kryes të mundshëm të veprës”, thuhet në komunikatë të Policisë.
Të dyshuarit janë dëgjuar në prezencën e akterëve të nevojshëm dhe, në konsultim me prokurorin e çështjes, janë liruar në procedurë të rregullt.