Një incident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Veternik” të Prishtinës, ku një rrahje mes disa personave ka përfunduar me gjuajtje me armë zjarri.
Siç e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ngjarja është raportuar rreth orës 06:30, ku tre persona kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit.
Viktimat janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtimin e nevojshëm mjekësor
“Rreth orës 06:30 është raportuar për një rrahje mes disa personash që ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri, të ndodhur në lagjen ‘Veterniku’ në Prishtinë.
Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë tre persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit.
Ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes, si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka njoftuar Ahmeti.