Tregti me para të falsifikuara në rrjete sociale, dominojnë bankënotat 100 euro dhe monedhat e 2 eurove

Tregtia me para falso dita-ditës po bëhet më e lehtë, kjo dukuri shqetësuese tashmë është përhapur edhe në rrjete sociale, aty haptazi bëhet tregti me këto valuta, të cilat konsiderohen si rrezik për shoqërinë tonë

Paratë falso, ilustrim

Në Kosovë është bërë e lehtë blerja e parave të falsifikuara, kjo madje po bëhet haptazi në rrjete të ndryshme sociale, së fundmi kjo dukuri është shfaqur edhe në rrjetin social Tik Tok, i cili po përdoret në masë të madhe nga shoqëria kosovare.

Aty po bëhen oferta të ndryshme për blerjen e bankënotave dhe monedhave të falsifikuara, ku në shkëmbim herë kërkohen para origjinale e herë pagesa kërkohet të bëhet me para digjitale, siç është Bitcoin apo monedha të tjera.

Portali D, sjell pamje të tregtisë me para falso në rrjetin social Tik Tok.

Tregtia me valuta falso në rrjetin social Tik Tok

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta mund të dënohet me burg, duke filluar nga një deri në dhjetë vjet.

Në një përgjigje nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë për Portali D, në katërmujorin e parë të vitit 2022, kartëmonedha më së shpeshti e falsifikuar është ajo e 100 eurove dhe monedha metalike dy euro.

Tregti me monedha metalike në Tiktok

“Bazuar në statistikat të cilat i posedon Divizioni i Dokumenteve dhe Dorëshkrimeve në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, nga data 01.01.2022 deri 25.05.2022 kartëmonedha më e falsifikuar është 100 euro me, gjithsej, 142, ndërsa monedha metalike 2 euro me, gjithsej, 3508”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas kësaj agjencie, numri i parave të dyshuara për falsifikim që u janë dërguar atyre shkon mbi 6 mijë, nga to mbi 4 mijë kanë rezultuar të falsifikuara.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë

“Numri i parave të dyshuara për falsifikim të cilat janë sjellë për ekzaminim në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, konkretisht, në Divizionin e Dokumenteve dhe Dorëshkrimeve është 6335 (kartëmonedha dhe monedha metalike), ku pas ekzaminimit 4540 kanë rezultuar të falsifikuara”, kanë thënë ata.

Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2021 janë iniciuar mbi 800 raste të klasifikuara si “falsifikim i parasë”, derisa tremujorin e parë të vitit 2022, ka pasur mbi 200 raste të tilla.

“Ju informojmë se Falsifikimi i parave është vepër penale e sanksionuar në Kodin Penal të RKS-së. Policia i evidenton rastet bazuar në emërtimet e veprave sipas Kodit penal. Për vitin 2021, në tërë territorin e vendit janë iniciuar 866 raste ‘falsifikim i parasë’. Ndërsa, gjatë (3) tremujorit të parë të 2022, policia ka iniciuar 208 raste të ‘falsifikimit të parave’”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Falsifikimin e valutave, e dënon edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Zëdhënësi i kësaj banke Kushtrim Ahmeti ka thënë se, falsifikimi i parave është krim që vazhdimisht paraqet rrezik për ekonominë dhe qytetarët e vendit.

Sipas tij, prania e parave të falsifikuara në treg dëmton besimin në paranë në qarkullim.

Ahmeti ka theksuar se, në mënyrë të përditshme “luftojnë” kundër parasë së falsifikuar dhe se për një gjë të tillë bashkëpunojnë me institucione të ndryshme, sikurse me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë si dhe me Prokurorinë Speciale.

Kreshnik Ahmeti, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës

Për Portali D, Ahmeti ka dhënë detaje mbi obligimet e institucioneve financiare kundrejt menaxhimit të situatave me valuta të falsifikuara.

“Sipas rregullores për operacionet me para të gatshme (e aplikueshme për BQK-në, bankat, degët e bankave të huaja dhe institucionet e tjera financiare, të licencuara për të ushtruar veprimtari bankare dhe/ose financiare në Republikën e Kosovës) Institucionet financiare:

  • Duhet të sigurojnë se të gjitha kartëmonedhat dhe monedhat euro dhe valutat e tjera që pranojnë gjatë veprimtarisë së tyre, t’i kontrollojnë për vërtetësi dhe përshtatshmëri me anë të makinerive për procesimin dhe trajtimin e kartëmonedhave, dhe monedhave sipas standardeve.
  • Janë të detyruara të sekuestrojnë dhe tërheqin nga qarkullimi kartëmonedhat dhe monedhat euro, dhe valutat e tjera të pranuara nga palët, të cilat ata i dinë ose kanë arsye të mjaftueshme të besojnë që janë të falsifikuara.
  • Kartëmonedhat dhe monedhat euro dhe valutat e tjera të dyshuara si të falsifikuara të detektuara dhe të tërhequra nga qarkullimi, duhet t’i dorëzohen autoritetit kompetent sipas legjislacionit në fuqi, udhëzimeve dhe procedurave përkatëse të këtyre të fundit”.

Në kuadër të luftimit të këtij problemi, Banka Qendrore e Kosovës në vitin 2015 bashkë me Policinë e Kosovës kishin themeluar Komitetin kombëtar për luftimin e parave falso.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika