Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në draft-raportin e siguruar nga RTV Dukagjini të Komisionit Hetimor Parlamentar, theksohet se përkundër udhëzimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të gjitha subjektet energjetike të ndërprenë tregun e energjisë me tregtarë që janë të palicencuar në Republikën e Kosovës, KEK-u ka vazhduar të tregtojë energji elektrike me këta tregtarë.
“Përkundër udhëzimeve të ZRrE-së, drejtuar të gjithë subjekteve energjetike të cilat bëjnë tregim të energjisë elektrike që të ndërprenë tregtimin me tregtarët të energjisë elektrike, të cilët janë të palicencuara në Republikën e Kosovës, KEK-u ka vazhduar të bëjë tregim të energjisë elektrike me këtë tregtar”, kjo është njëra nga çështjet e identifikuar në draft-raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
- Dokument| Si i menaxhoi KEK-u 30 milionë euro subvencion për energjinë nga Qeveria; 7 milionë euro s’ka informata ku shkuan
- “7 milionë euro s’ka informata ku shkuan”, KEK-u del me sqarime
Për këtë, Dukagjini ka adresuar pyetje te KEK-u dhe ZRrE-ja.
Sa i përket ZRrE-së, organ i cili ka kompetenca që të lëshojë licenca dhe të monitorojë nëse ato licenca respektohet nga ndërmarrjet e energjisë, zëdhënësi i këtij organi, Petrit Pepaj, ka thënë se këtë draft-raport [Draft-raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar] nuk e kanë pranuar, dhe kështu nuk mund të komentojnë konkluzionet dhe gjetjet që janë në këtë draft-raport. Duke theksuar se ZRrE-ja nuk komenton në çështjen e ngritur në media që ka të bëjë më këtë.
“Zyra e Rregullatorit për Energji nuk e ka pranuar Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me Menaxhimin e Krizës Energjetike, si rrjedhojë nuk mund të komentoj në lidhje me konkluzionet apo të gjeturat e përfshira në këtë raport. Për me tepër Rregullatori nuk komenton në dhënien e vlerësimeve te cilësdo çështjeje të ngritur në media që ka të bëjë me Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar”, ka thënë Pepaj.
Ndërkaq, ai ka theksuar se ky organ është në fazën finale të përfundimit të Raportit të Monitorit që ka të bëjë me aktiviteteve e Korporatës Energjetike të Kosovës, duke përfshirë edhe tregimin e energjisë, ku në draft-raportin e Komisionit po potencohet se KEK-u ka bërë tregtim me tregtarë të palicencuar.
“Ne, ju informojmë se Zyra e Rregullatorit për Energji është në fazën finale të përfundimit të Raportit të Monitorimit që ka të bëjë me aktivitetet e Korporatës Energjetike të Kosovës, përfshirë edhe tregtimin e energjisë elektrike. Detajet që përfshin ky raport, dhe masat që mund te merren nga Rregullatori do të ndahen me publikun në momentin që raporti shqyrtohet nga Bordi i ZRrE-së në seancë të hapur për publikun. Mediat do të njoftohen me kohë në lidhje me agjendën e Bordit që përfshin edhe shqyrtimin e raportit të monitorimit”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, Dukagjini është ende në pritje të një përgjigjeje nga KEK-u, në lidhje me këtë çështje dhe do t’ju mbajë të informuar për çdo gjë.