Në takimin e mbajtur përmes platformës “Zoom”, me shoqërinë civile, ku pjesëmarrës kishte edhe gazetarë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, është deklaruar rreth deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për krijimin e një mekanizmi kontrolli ndaj kësaj gjykate.
“Lexova dhe e kam përcjellë gjithashtu deklaratën e zotit Konjufca, më duhet të shpreh pikëpamjen time, ne jemi gjykatë, asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje që vjen nga legjislativi apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur”, ka thënë Trëndafilova, kur është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e Konjufcës.
Ajo, po ashtu, ka deklaruar edhe njëherë se vetëm individët mund të akuzohen për krimet që janë në juridiksion të DhSK e jo grupet etnike, organizatat apo ndonjë entitet tjetër.
“Vendimi se kush do të akuzohet për një krim i takon ekskluzivisht vetëm prokurorit të specializuar, Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomat e Specializuara janë institucione të ndara dhe të pavarura plotësisht nga njëra-tjetra”, ka thënë ajo.
Fillimisht, sa i përket këtij takimi me shoqërinë civile, që ishte planifikuar të mbahet në Gjilan, Trëndafilova ka thënë se udhëtimi i saj për në Kosovë ka dy muaj që ishte planifikuar.
“Një pjesë e rëndësishme e planifikimit tim ishte të jem në Gjilan për t’u takuar me të gjithë ju personalisht, megjithatë siç tha Angela, duke pasur parasysh edhe kohën e verës, një numër i madh i pjesëmarrësve shprehën parapëlqimin t’i bashkohen takimit përmes “Zoom” dhe besojmë që do të jemi në gjendje të angazhohemi në një shkëmbim frytdhënës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, udhëtimi në Kosovë është shtyrë, por e njëjta do të jetë këtu pas periudhës së verës.
“Unë do të vij në Kosovë për t’u takuar personalisht me ju për punën e Dhomave të Specializuara”, ka thënë ajo.
Më 18 qershor, kryeparlamentari Konjufca, në një intervistë kishte deklaruar se ka shumë defekte sa i përket punës së Gjykatës Speciale.
Trendafilova: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk dihet kur fillon
Trëndafilova lavdëroi punën që po bëjnë gjykatësit në Speciale.
Ajo mori shembull rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, për të cilët tha se u shkrua një aktgjykim i detajizuar me rreth 370 faqe.
E për rastin më të madh që po trajton gjykata që udhëheq, Trëndafilova nuk dha shumë informacione.
“Rasti ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, është një rast i madh me katër akuza për krime lufte dhe gjashtë për krime kundër njerëzimit. Nuk mund të them se kur rasti do të filloj, por shpresoj që do të shkojë para trupit gjykues”, ka thënë Trendafilova.
Për këtë rast, Prokurori Jack Smith kishte thënë se i duhen 1 mijë e 863 orë që ta paraqesë çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve.
Sipas disa përllogaritjeve, në këtë mënyrë gjykimi do të zgjaste rreth 10 vjet.
“Gjykatësi mund të vendosë që të kërkoj nga prokurori që ta kufizoj numrin e dëshmitarëve. Që të kombinoj disa akuza. Nuk e di se si do të bëjë aranzhimet. Por, besoj se gjykatësit do t’i përmbahen kornizës ligjore që të përpjeken për të reduktuar numrin e orëve”, ka shtuar Trendafilova.
Trendafilova ka vizituar Kosovën në dy raste.
Herën e fundit që ishte në Kosovë, ku përveç Prishtinës, vizitoi edhe veriun ku realizoi një takim me shoqërinë civile dhe gazetarët, ajo u ballafaqua me protestë të aktivistëve të PSD-së, e një të tillë e kishin paralajmëruar sërish për vizitën tashmë të anuluar.