Shkelja e ligjeve dhe moszbatimi i tyre nga ana e institucioneve të shtetit po konsiderohet si cenim i parimeve të Kushtetutës nga njohësit e çështjeve juridike.
Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në disa raste kanë konfirmuar shkeljet kushtetuese të Qeverisë Kurti, pikërisht për tejkalimin e kompetencave të pushteteve të tjera, dhe kjo, sipas njohësve, tregon edhe mendësinë e pushtetit aktual ekzekutiv.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Portalin Dukagjini ka thënë se numri i madh i rasteve kur institucionet shtetërore kanë shkelur Kushtetutën është tregues i qartë se sa respektohet ajo.
“Derisa është normale edhe në shtetet më demokratike me një kulturë të gjatë kushtetuese ligjore që të ketë shkelje të Kushtetutës në rastin e vendimmarrjes të politikëmarrjes, por kjo është pastaj jonormale, kur, nëse e marrim për bazë Qeverinë Kurti, që vetëm në dy vitet e fundit kemi pasur një numër të madh të rasteve kur ministritë, qeveria e shkelin Kushtetutën”, ka thënë ai.
Miftaraj ka theksuar se në raportin e fundit të Institutit të Kosovës për Drejtësi lidhur me efikasitetin e punës së Qeverisë, gjatë vitit 2022 del që së paku në shtatë iniciativa ligjore, Qeveria e Kuvendi kanë miratuar ligje, politika, që sipas tij “cenojnë parimet e Kushtetutës, standardet që përcakton Kushtetuta”.
Siç thotë Miftaraj, çdo diskutim lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë e kësaj gjykate dhe e njëjta nuk duhet të përsëritet.
“Në një shtet normal, me një demokraci parlamentare siç është Republika e Kosovës, politika, qeveria, kuvendi, presidenca, institucionet e tjera të drejtësisë duhet të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa debat, pa diskutim, apo pa kritika lidhur me vendimmarrjen”, shtoi ai.
Në anën tjetër, për profesorin e çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, problemi më i madh është mënyra e hartimit të ligjeve nga Qeveria e Kosovës.
“Gjatë kësaj periudhe prej kur është në fuqi Gjykata, fatkeqësisht, ka pasur shumë raste kur edhe institucionet e vendit kanë shkelur dispozitat e ndryshme të Kushtetutës. Problemin kryesor e kemi pikërisht shkeljen e ligjeve dhe moszbatimin e tyre ndërkohë që nuk është mirë sigurisht që të ndodhin shkeljet e tilla, dhe do të duhej të krijojmë një traditë pozitive, një kulturë të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve në këtë vend, në mënyrë që të ketë sa më pak raste kur Gjykata Kushtetuese me vendime të saj ka thënë që qoftë institucionet apo individi ka bërë shkelje”, ka thënë ai për Portalin Dukagjini.
Se a përbën shkelje apo ndërhyrje në Kushtetutë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Miftaraj ka potencuar se për sigurinë e Kosovës do të ishte e rrugës “që të kemi një referencë që statuti i ardhshëm që do të hartohet lidhur me formimin e Asociacionit të shkonte përmes një vlerësimi të Kushtetutshmërisë nga ana Gjykata Kushtetuese”.
Megjithatë, ai vlerëson se në këtë fazë është herët për të thënë nëse është apo jo në kundërshtim me Kushtetutën, pa e pasur tekstin apo statutin e këtij Asociacioni.
Ndërkaq, ndryshe nga ai, Baraliu thekson se themelimi i Asociacionit është një shkelje. Ai thotë se Asociacioni paraqet një pushtet të tretë, teksa thekson dëmin që mund ta pësojë Kosova dhe sistemi i saj kushtetues e juridik.
“A është Asociacioni shkelje, po është shkelje, është me marrëveshjen e vitit 2013 dhe atë të 2015, shkeljet janë konstatuar madje nga Gjykata Kushtetuese për këtë marrëveshjen e dytë, por edhe e para në 6 pikat e saj paraqet ndërhyrje në kushtetutë, paraqet një pushtet të tretë dhe është edhe kundërkushtetuese dhe e dëmshme skajshmërisht për Kosovën dhe sistemin e saj Kushtetues dhe juridik”, shtoi ai.
Qeveria Kurti (1 dhe 2) shkeli Kushtetutën e Kosovës në disa raste, sipas konfirmimeve të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Rasti i parë: Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore gjatë pandemisë
Në fillimin e pandemisë COVID-19 (mars 2020), Qeveria e Kosovës me vendime administrative filloi kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin KO54/20 konfirmoi që të drejtat dhe liritë themelore u shkelën, sepse ato mund të kufizohen vetëm me ligj dhe jo me vendime administrative.
Qeveria vazhdoi me vendime administrative duke ndërmarrë masa kundërkushtetuese dhe duke u treguar e shurdhër ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Rasti i dytë: Imponimi i karantinës dhe kundërvajtjet administrative gjatë pandemisë
Rasti i dytë përsëri kishte të bënte me masat anti-COVID.
Në muajin prill, Qeveria e Kosovës e shpalli “zonë karantine” Komunën e Prizrenit përmes Vendimit nr. 214/IV/2020, si dhe u morën tri vendime të tjera me qëllim të parandalimit, luftimit dhe eliminimit të COVID-19 në territorin e komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut.
Në aktgjykimin KO61/20, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kundërvajtjet administrative që përcaktoheshin në këto vendime nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën, sepse kundërvajtjet administrative mund të përcaktohen vetëm me ligj të Kuvendit të Republikës apo akte të Kuvendit të ndonjë komune, dhe këto autorizime nuk mund t’i ketë pushteti ekzekutiv, andaj Qeveria ndërmori sanksione kundërkushtetuese ndaj qytetarëve të vet.
Rasti i tretë: Ndërhyrja në kompetenca të nivelit lokal
Rasti i tretë ka të bëjë me Komunën e Kamenicës dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), të udhëhequr nga ministrja Arbërie Nagavci.
Gjykata Kushtetuese konstatoi që MASHTI kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës, me ç’rast kishte shkelur parimet kushtetuese, Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Ky ishte konfirmimi tjetër që tregoi se organet qendrore morën në dorë kompetenca të nivelit lokal, duke penguar organizimin dhe funksionimin normal të vetëqeverisjes lokale.
Rasti i katërt: Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si antikushtetues Ligjin për KPK të hartuar nga MD-ja
Në muajin mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka shkelur Kushtetutën.
Gjykata shpalli antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, i cili u hartua nga ministrja e Drejtësisë.
Ministrja Haxhiu, pavarësisht se u gjet në shkelje të Kushtetutës, kur ishte pyetur nga gazetarët se a do të japë dorëheqje, kishte treguar se nuk mendon për dorëheqje.
Ndryshe, në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar edhe ligje të tjera të hartuara nga Qeveria Kurti.
Ligjin për Byronë, Ligji për Paga, Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale, janë disa nga ligjet që mund të shpallen antikushtetuese dhe lista e shkeljeve Kushtetuese mund të ndryshojë.
Ndërkaq, në këtë përvjetor, liderët opozitarë kanë përmendur shkeljet e Kushtetutës të bëra nga qeveria Kurti.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, me anë të shkrimeve në Facebook, kanë akuzuar Qeverinë Kurti për shkelje të Kushtetutës.