Nga data 20 shtator, në adresën e Bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes ‘Trepça’, po pret përgjigje pyetja se kush i menaxhon minierat e Leposaviq.
Por tash e 10 ditë nuk po japin përgjigje për televizionin. Informacionet që po hezitojnë t’i konfirmojnë ose t’i mohojnë, nuk po heziton t’i konstatojë Zyra Kombëtare e Auditimit.
Në raportin e auditimit për vitin 2023 për ndërmarrjen Trepça, miniera në Leposaviq përmendet 13 herë.
ZKA thotë se Bordi Mbikëqyrës i Trepçës nuk ka arritur t’i ushtrojë kompetencat në minierat me flotacion Kopaonik-Leposaviq, sepse kjo pjesë ka operuar si e ndarë në të gjitha aspektet.
Zbrazëti sipas ZKA-së ka edhe në raportin e menaxhmentit që nuk është në përputhje me pasqyrat financiare, sepse mungojnë të dhënat për minierat në Leposaviq.
Raporti i Auditimit – Trepça SH.A 2023- “… 107 parcela të njësisë biznesore Miniera në Kopaonik – Leposaviq të cilat sipas regjistrave kadastrale ishin pronë e njësisë nuk ishin të regjistruara në regjistrin e pasurisë….”
Në pasqyrat financiare të ndërmarrjes Trepça mungojnë edhe 668 parcela me 309 hektar tokë të cilat janë në pronësi të Flotacionit në Leposaviq, e cila tërësisht është pronë e Trepçës.
Tutje raporti konstaton se rreth 110 punëtorë, njësia biznesore në Leposaviq nuk i ka deklaruar në ATK, ndërsa vërejtje tjetër është fakti se që nga viti 2007 ata nuk i kanë ndryshuar rregulloret. Por mungesa e kontrollit nuk përfundon me kaq.
ZKA, Raporti i Auditimit – Trepça SH.A 2023 thuhet se “Ne kemi identifikuar bobësitë në vijim në procesin e funksionimit të ndërmarrjes.
Trepça Sh. A. ka num identifikues 8112747, dhe operacionet e saj i zhvillon me këtë numër fiscal, ndërkaq njësitë bisnesore Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviç, funksionojnë sipas emërtimit të vjetër Trepça – Ndërmarrja në Administrim të AKP-së N. SH me numër identifikues 810356932?…”
TV Dukagjini para 10 ditësh kishte kërkuar përgjigje edhe nga drejtori i minierave në Leposaviq, Dejan Kirstiq. I njëjti përmes telefonit kishte kërkuar që pyetjet të drejtohen me shkrim, por tash e gati dy javë as nuk është përgjigjur e as nuk ka treguar vullnet që të flasë para kamerës.
Vetë ndërmarrja Trepça në Planin e Biznesit për vitin 2024 e pranon se nuk e kanë në dorë pronën e saj.
Edhe për vitin 2023 edhe 2024 thuhet se në planin e biznesit përjashtohet Miniera me Flotacionin në Kopaonik – Leposaviq, për shkak të mungesës së të dhënave.
https://zka-rks.org/cms/ReportFiles/2024_cf24ca73-addf-4239-8a65-219019878eb5.pdf – ZKA