Pikëkalimet kufitare në Merdare dhe Jarinjë vazhdojnë të jenë të bllokuara për kamionë dhe autobusë, aty mund të kalohet vetëm me vetura private.
Për dallim nga këto dyja, në Bërnjak hyrje – daljet janë krejtësisht të bllokuara dhe nuk mund të kalojë asnjë lloj automjeti.
Kurse pika kufitare të Dheut të Bardhë, ku po qëndron ekipi i RTV Dukagjinit, nuk është e bllokuar.
Situata aty është e qetë dhe me pak fluks të automjeteve. Kryesisht janë qytetarë nga Lugina e Preshevës, të cilët po e përdorin këtë pikë.
Edhe këtu, sikurse në pikat e tjera, përveç veturave, kamionët të cilët janë me targa serbe dhe me mallra po kthehen mbrapa dhe nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës.
Bllokadat në kufi janë shkaktuar për shkak të protestave që janë mbajtur në territorin serb.
MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të mos shkojnë në pikat kufitare Merdare dhe Jarninje.