Hulumtuesja e Tribunalit Ndërkombëtarë të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp ka thënë se është e domosdoshme që ish-senatori zviceran Dick Marty të jetë dëshmitar në Gjykatën Speciale.
Ajo konsideron se Marty, nuk ka dalë në publik rastësisht për të treguar se është i kërcënuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
“Ai nuk e ka bërë këtë njoftim pa konsultim me policinë e Zvicrës”, është shprehur Tromp për RTK-në.
Tromp ka thënë se Marty duhet të dëshmojë para mbrojtjes, prokurorisë dhe gjyqtarëve, sepse Gjykata Speciale është ndërtuar mbi raportin e tij.
“Në një intervistë me Marty-n nga mbrojta, prokuroria apo edhe gjyqtarët e Speciales, do t’i parashtroheshin të gjitha pyetjet, sepse personi i vetëm që do të jetë në gjendje t’u përgjigjet këtyre për Specialen dhe raportin e tij, është vetë Dick Marty”, thotë Tromp.
Mundësia që Marty të jetë dëshmitarë sipas Tromp, është shumë shqetësuese për Serbinë, sepse kësaj të fundit do t’i dekonspirohej angazhimi i saj për krijimin e Speciales.
“Shërbimi inteligjent i Serbisë është i shqetësuar se Dick Marty mund të ketë thënë diçka apo do të thotë diçka për këtë plan të Serbisë, e cila me dekada po përpiqet ta prezantojë se UÇK-ja ka qenë organizatë kriminale dhe me këtë e kanë kriminalizuar edhe vetë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”, ka thënë Tromp.
Lidhur me këtë duket se edhe vetë ish-senatori zviceran është i shqetësuar thotë hulumtuesja e punës së Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, duke shtuar se perëndimi ka pranuar lojën e krijimit të Dhomave të Specializuara që Serbia ta njohë Kosovën, mirëpo, pas themelimit të tyre Beogradi ka bërë tërheqje nga bisedimet në Bruksel dhe rrjedhimisht i gjithë procesi është i vdekur, ka deklaruar Tromp.
Me krijimin e Dhomave të Specializuara, përkatësisht Gjykatës, Serbia sipas Tromp ka kapur një narrative historike dhe përmes saj mundohet të deklarohet se të nuk ishte vetëm Serbia e fajshme në luftën e Kosovës, por të gjithë.