Donald Trump tani ka bërë betimin si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës [SHBA] në Capitol Rotunda.
Ai u betua se “do të ruajë dhe mbrojë” Kushtetutën e SHBA-së.
“Betohem solemnisht se do të shërbej me besnikëri në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta bëj më të mirën për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.
Betimin e bëri edhe JD Vance si zëvendëspresident i Amerikës.
Gjatë fjalimit si president, Trump u shpreh se epoka e artë e SHBA-së ka nisur tani.
“Epoka e artë e Amerikës nis pikërisht tani. Nga kjo ditë e tutje, vendi ynë do të lulëzojë dhe do të respektohet. Unë thjesht e vendos Amerikën në plan të parë…Jam shpëtuar nga Zoti për ta bërë Amerikën të madhërishme sërish”, ka thënë ai.
Ai është shprehur se nën udhëheqjen e tij do të rifitohet sovraniteti i amerikanëve.
“Siguria jonë do të rikthehet. Peshorja e drejtësisë do të ribalancohet…Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”, ka thënë Trump.
Trump është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte edhe presidenti i 45-të.
Urimet botërore ndaj Presidentit Trump
Kallas uron Trumpin
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e uroi Donald Trumpin, i cili u betua si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
“Lidhja transatlantike ka sjellë prosperitet dhe forcë në të dyja anët e Atlantikut. Së bashku, ne jemi më të fortë dhe më të sigurt në trajtimin e sfidave globale. Mezi presim të vazhdojmë partneritetin tonë”, shkroi Kallas në platformën X.
Urime edhe nga shefi i NATO-s
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili supozohet se ka pasur marrëdhënie të mira me presidentin Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë, e uroi atë, pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
“Me rikthimin e Trumpit, ne do t’i përshpejtojmë shpenzimet dhe prodhimet për mbrojtje”, shkroi Rutte në X.
“Së bashku, ne mund të arrijmë paqe përmes forcës – përmes NATO-s”, shtoi ai.