Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se planifikon të flas të hënën me udhëheqësit e Kanadasë dhe Meksikës, disa ditë pasi shpalli tarifat për mallrat nga këto vende dhe tarifat për mallrat nga Kina, të cilat u pritën me zotime për tarifa hakmarrëse dhe veprime të tjera.
Tarifat e reja prekin tre partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por Presidenti Trump tha se “ia vlen të paguash çdo çmim”, për të forcuar interesat amerikane.
Pavarësisht një marrëveshjeje për tregti të lirë që negocioi me Kanadanë dhe Meksikën në mandatin e tij të parë, presidenti Trump të shtunën vendosi tarifa prej 25 për qind për të dyja vendet, të cilat do të hyjnë në fuqi të martën dhe goditi Kinën me një taksë të re prej 10 për qind.
Presidenti Trump pretendon se të tre vendet nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm dhe opioidit vdekjeprurës fentanil në Shtetet e Bashkuara.
Në postimet në rrjetin Truth Social herët të dielën, Presidenti Trump pranoi se konsumatorët amerikanë mund të përballen me çmime më të larta për shkak të tarifave.
Kompanitë amerikane që i paguajnë tarifa qeverisë federale për të importuar mallra nga vende të tjera, më pas shpesh e kalojnë të paktën një pjesë, nëse jo të gjithë çmimin te konsumatorët, në vend që të mbulojnë vet shpenzimet e tyre shtesë.
Presidenti Trump i përqendroi komentet e tij në Kanadanë, duke synuar një nga aleatët më të afërt të Shteteve të Bashkuara. Byroja e Regjistrimit tha se Shtetet e Bashkuara kishin një deficit tregtar prej 55 miliardë dollarësh me Kanadanë vitin e kaluar.
“Përse? Nuk ka asnjë arsye”, tha Presidenti Trump. “Ne nuk kemi nevojë për asgjë që kanë ata. Ne kemi energji të pakufizuar, duhet të prodhojmë makinat tona dhe të kemi më shumë lëndë druri sesa mund të përdorim ndonjëherë”.
“Pa këtë subvencion masiv, Kanadaja pushon së ekzistuari si një vend i qëndrueshëm. E ashpër por e vërtetë! Prandaj, Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i dashur i 51-të. Taksa shumë më të ulëta dhe mbrojtje shumë më e mirë ushtarake për popullin e Kanadasë – DHE JO TARIFA!” tha Presidenti Trump.
“Kanadaja, Meksika, Kina dhe shumë të tjera… vazhdojnë të shqyejnë Amerikën prej dekadash, si në lidhje me TREGTINË, KRIMIN DHE drogat helmuese që lejohen të rrjedhin kaq lirshëm në AMERIKË. ATO DITE KANË MARRË FUND”!
Me tarifat e reja, tha Presidenti Trump “A do të ketë pak dhimbje? Ndoshta Po (dhe ndoshta jo!) Por ne do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme dhe e gjitha do t’ia vlejë çmimin që duhet paguar”.
Ndihmësit e Presidentit Trump nuk kishin pranuar më parë se tarifat mund të rrisin çmimet e konsumit në SHBA. Anketat mbarëkombëtare treguan se zhgënjimi i konsumatorëve me rritjen e çmimeve gjatë katër viteve të fundit ishte një faktor kryesor që ndikoi në fitoren e tij në zgjedhjet e nëntorit përballë demokrates Kamala Harris.
Presidenti Trump e ka pranuar që atëherë se nuk do të jetë e lehtë të frenohen çmimet më të larta të ushqimeve. Ai vendosi tarifën e re për importet e energjisë nga Kanadaja në 10 për qind, me sa duket duke kërkuar të kufizojë një rritje të çmimeve të karburantit dhe energjisë elektrike.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau, tha të shtunën se vendi i tij do të kundërpërgjigjet me tarifa prej 25 për qind për mallra e caktuara amerikane me vlerë prej 106.6 miliardë dollarësh, me një raund të parë të martën e ndjekur nga një raund u dytë në tre javë.
Udhëheqësit e disa provincave kanadeze kanë njoftuar tashmë veprime hakmarrëse, të tilla si ndalimi i menjëhershëm i blerjeve të pijeve alkoolike në SHBA, dhe më konkretisht, lëngut të portokallit të prodhuar në shtetin amerikan të Floridas, uiskit në Tenesi dhe gjalpit të kikirikut në Kentaki, tre shtete në të cilat Presidenti Trump fitoi në zgjedhjet e nëntorit të kaluar dhe të gjitha të përfaqësuara nga republikanët në Senatin amerikan.
Kirsten Hillman, ambasadorja kanadeze në SHBA, tha për rrejtin ABC se “jemi vërtet të zhgënjyer” dhe “të hutuar” nga veprimet e Presidentit Trump dhe tha se shpresonte që ai të tërhiqej përpara të martës. Por, ajo pranoi se “është vërtet në duart e presidentit” nëse kjo do të ndodhë.
Sipas ambasadores “më pak se 1 për qind e emigrantëve të paligjshëm” që hyjnë në SHBA udhëtojnë përtej kufirit të saj verior me Kanadanë. Ajo tha se Kanadaja ka investuar “në shumë pajisje” për të frenuar kalimet e paligjshme kufitare dhe ka kryer stërvitje të përbashkëta me SHBA-në për të kapur emigrantët.
“Është e vështirë të dimë se çfarë mund të bëjmë më shumë”, tha ajo. “Ne nuk jemi aspak të interesuar të përshkallëzojmë” një luftë tregtare me SHBA-në, me të cilën tha ajo, 99 për qind e tregtisë aktualisht është pa tarifa.
Ndërkohë, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se e ka udhëzuar ministrin e saj të ekonomisë që të “zbatojë planin B”, i cili përfshin “masa tarifore dhe jotarifore në mbrojtje të interesave të Meksikës”, pa e sqaruar se cilat mallra amerikane do të synojë qeveria e saj.
Eksportet e SHBA-së në Meksikë arritën në më shumë se 322 miliardë dollarë në vitin 2023, treguan të dhënat e Byrosë së Regjistrimit, ndërsa SHBA-ja importoi prodhime meksikane me vlerë prej më shumë se 475 miliardë dollarë.
Presidentja Sheinbaum hodhi poshtë pretendimin e Presidentit Trump se qeveria e saj kishte bashkuar forcat me kartelet e drogës, një pretendim që ai bëri në njoftimin për shpalljen e tarifave.
Kina denoncoi tarifat e reja për eksportet e saj. Pekini tha se do t’i sfidonte ato në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe do të merrte “kundërmasa” të pasqaruara. SHBA kishte një deficit tregtar prej 279 miliardë dollarësh me Kinën në vitin 2023, shifra më e madhe me ndonjë nga partnerët e saj tregtarë.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha në një deklaratë se masa e Presidentit Trump “shkel seriozisht” rregullat e tregtisë ndërkombëtare, duke i kërkuar SHBA-së që të “angazhohet në dialog të sinqertë dhe të forcojë bashkëpunimin”.
Presidenti Trump gjithashtu ka kërcënuar shpesh me tarifa të reja kundër Bashkimit Evropian. Një zëdhënës i bllokut tha të dielën se BE-ja do t’i përgjigjet me vendosmëri çdo partneri tregtar që vendos tarifa në mënyrë të padrejtë ose arbitrare./VOA