Trump konfirmon vizitën e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen e mineraleve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se do ta presë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, në Uashington të premten, mes negociatave për një marrëveshje që do t’i japë Shteteve të Bashkuara qasje në mineralet e rralla të Ukrainës.

“Presidenti Zelensky do të vijë të premten, kjo tani është e konfirmuar”, tha Trump të mërkurën, në mbledhjen e parë të kabinetit të tij, kur e cilësoi marrëveshjen si “një marrëveshje shumë të madhe.”

Presidenti republikan është ankuar prej kohësh se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë para të taksapaguesve për të mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë, e cila filloi kur Kremlini pushtoi Ukrainën tre vjet më parë.

Trump e ka paraqitur këtë marrëveshje të re, që do t’i japë SHBA-së qasje në të ashtuquajturat depozita të mineraleve të rralla në Ukrainë, si një mundësi që Kievi të kompensojë ndihmën që SHBA-ja ka dhënë tashmë për përpjekjet e luftës gjatë administratës së mëparshme të presidentit demokrat, Joe Biden.

“Administrata e mëparshme na vuri në një pozitë shumë të keqe, por ne kemi arritur të bëjmë një marrëveshje ku do t’i marrim mbrapsht paratë dhe do të marrim shumë para në të ardhmen”, tha Trump.

Zelensky tha, në një konferencë për shtyp më herët të mërkurën, se ishte arritur një kornizë për një marrëveshje ekonomike, por që ende nuk përfshinte garanci sigurie nga SHBA, të cilat vendi i tij i sheh si jetike.

“Ukraina duhet të dijë më parë se ku qëndron SHBA-ja në lidhje me mbështetjen e saj të vazhdueshme ushtarake”, tha ai, duke shtuar se priste një bisedë gjithëpërfshirëse me Trumpin.

Marrëveshja ekonomike “mund të jetë pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë, por unë dua të kuptoj vizionin më të gjerë. Çfarë e pret Ukrainën?”, shtoi Zelensky.

Por, Trump , kur foli për garancitë e sigurisë, tha se “do ta lëmë Evropën ta bëjë këtë”.

Marrëveshja, një kopje të së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nuk adreson disa pyetje kyçe dhe lë shumicën e detajeve për t’u qartësuar përmes një marrëveshjeje të ardhshme.

Ajo nuk përmban garanci specifike të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën, një kërkesë kyçe nga Kievi. Marrëveshja gjithashtu nuk përcakton nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë furnizimin me pajisje ushtarake dhe municione për Ukrainën.

Pikat Kryesore

  • Asnjë garanci sigurie: Marrëveshja mbështet përpjekjet e Ukrainës për të siguruar garanci sigurie, por nuk i ofron ato.
  • Zhvillimi i burimeve: Ukraina dhe SHBA-ja do të zhvillojnë bashkërisht burimet natyrore të Ukrainës, duke përfshirë mineralet, naftën dhe gazin.
  • Fondi i rindërtimit: Një fond i përbashkët do të marrë 50 për qind të të ardhurave nga burimet shtetërore të Ukrainës.
  • Riinvestimi: Fitimet e fondit do të riinvestohen “të paktën çdo vit” për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.
  • Detaje të pahartuara: Aspektet e qeverisjes dhe pronësisë do të negociohen më vonë.

Teksti i marrëveshjes fillon duke theksuar se Uashingtoni “ka ofruar mbështetje të konsiderueshme financiare dhe materiale për Ukrainën që nga pushtimi i plotë i Rusisë”.

Megjithatë, nuk përmendet kërkesa e mëparshme e Uashingtonit për të drejtën mbi 500 miliardë dollarë të ardhura të mundshme nga qasja në pasuritë minerale të Ukrainës, që ishte përfshirë në një draft të mëparshëm të marrëveshjes.

Kjo ishte një pikë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kishte cilësuar në mënyrë të përsëritur si të papranueshme.

Asnjë Garanci Sigurie për Ukrainën

Marrëveshja nuk përfshin angazhime të qarta të sigurisë nga SHBA-ja. Megjithatë, thuhet se Shtetet e Bashkuara “mbështesin përpjekjet e Ukrainës për të marrë garanci sigurie”.

Gjithashtu, theksohet se Uashingtoni “do të mbajë një angazhim afatgjatë financiar për zhvillimin e një Ukraine të qëndrueshme dhe ekonomikisht të begatë”.

Përtej këtyre deklaratave të përgjithshme, pjesa kryesore e marrëveshjes lidhet me krijimin e një Fondi të Përbashkët të Investimeve për Rindërtim. Ukraina ka rënë dakord të vendosë 50 për qind të të ardhurave nga burimet e saj natyrore në pronësi shtetërore në këtë fond.

Kjo përfshin pasuri minerale, naftë dhe gaz, si dhe të ardhura të lidhura me terminalet e gazit të lëngshëm (LNG).

Në mënyrë eksplicite thuhet se “burimet e ardhshme të të ardhurave nuk përfshijnë burimet ekzistuese të të ardhurave që tashmë janë pjesë e të ardhurave të përgjithshme buxhetore të Ukrainës”.

Paratë nga ky fond do të riinvestohen në Ukrainë “të paktën çdo vit.”

Pyetje të Paadresuara

Ka ende shumë pyetje pa përgjigje. Marrëveshja përcakton se këto çështje do të trajtohen në një marrëveshje të ardhshme, për të cilën grupet e punës do të fillojnë negociatat “pa vonesë”.

Një ndër çështjet kryesore është si do të ndahet pronësia e përbashkët e fondit, duke sugjeruar se mund të mos jetë një ndarje e thjeshtë 50-50. Detajet mbi “qeverisjen dhe funksionimin” e fondit gjithashtu mbeten për t’u përcaktuar.

Marrëveshja thekson se asnjëra palë nuk mund të “shesë, transferojë ose tjetërsojë” ndonjë pjesë të fondit pa miratimin e palës tjetër. Me fjalë të tjera, asnjëra palë nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme.

Marrëveshja thuhet se duhet të miratohet nga parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, por nuk përmend miratimin nga Kongresi i SHBA-së.

Trump, i cili e ka bërë prioritet kryesor përfundimin e konfliktit në Ukrainë, dhe këshilltarët e tij kanë sinjalizuar që një pjesë e negociatave do të përfshijnë joshje dhe presion për t’i bindur Kievin dhe Moskën që të ulen në tryezën e negociatave.

Kushtëzimi i ndihmës së ardhshme amerikane me koncesionet ukrainase është kyç për këtë: bindja e Kievit që t’u japë investitorëve amerikanë më shumë qasje në mineralet e rralla të tokës dhe mineralet kritike, mund të jetë pjesë e madhe e kalkulimit.

Pa armatimin amerikan, ushtria e Ukrainës do të shkatërrohej nga trupat ruse, që janë më të shumta në numër dhe janë të pajisura më mirë. Është e paqartë se sa gjatë do të mund t’i mbante Kievi vijat mbrojtëse pa këtë ndihmë.

Kjo nuk është hera e parë që Trumpi ka kushtëzuar armët amerikane me koncesione nga Ukraina, specifikisht nga presidenti Volodymyr Zelensky. Gjatë mandatit të parë presidencial, Trump u përball me gjyq në Dhomën e Përfaqësuesve që kontrollohej nga demokratët pas një bisede telefonike që ai kishte zhvilluar me Zelenskyn. Në atë bisedë, Donald Trump duket se i thotë se ai do ta zhbllokojë ndihmën amerikane nëse Zelensky do të rihapë hetimin ndaj një kompanie energjetike ukrainase në bordin e të cilës gjendej djali i Joe Bidenit, atëbotë ish-nënpresident.

Avokatët kishin argumentuar se një president amerikan nuk ka të drejtë ligjore të bllokojë fondet që veçse janë miratuar nga Kongresi.

Trumpi, që ka mohuar çdo keqbërje dhe e ka përshkruar bisedën si një “bisedë perfekte telefonike”, u shfajësua nga Senati i kontrolluar nga republikanët.

Kësaj radhe, republikanët kontrollojnë dy dhomat e Kongresit, prandaj ka pak të ngjarë të ketë rezistencë në Kongres lidhur me kushtëzimin e ndihmës amerikane. Për më tepër, presidenti Trump dhe këshilltarët e tij kanë përqafuar një qasje që më shumë shfaq muskujt kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve në Shtëpinë e Bardhë, duke argumentuar se Kongresi ka më pak përfshirje në vendimet e krahut ekzekutiv.

Çfarë mendon Kremlini për gjithë këtë?

Edhe Rusia ka rezerva të konsiderueshme të mineraleve të rralla të tokës dhe mineraleve kritike, edhe pse kapacitetet e saj të prodhimit janë konsiderueshëm më të vogla sesa ato të Kinës dhe shteteve të tjera.

Thënë gjerësisht, gjithçka që duket se ia ndërlikon jetën Ukrainës duket si gjë e mirë për Moskën, e cila e di që armatimi amerikan e ka mbajtur në luftë Kievin.

Rusia, që ka epërsi në fushëbetejë, po bën pozicionimin e saj para negociatave të mundshme të paqes. Kjo përfshin edhe lavdërimet e bëra nga presidenti Vladimir Putin.

Një nga kartat e negocimit të Shtëpisë së Bardhë të udhëhequr nga Trumpi ka qenë gjithashtu kërcënimi për të mbushur Ukrainën me më shumë armë amerikane – që do të ishte gjë e keqe për trupat ruse dhe Kremlinin.

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e Trumpit për mineralet e rralla të tokës, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se duket që Shtëpia e Bardhë po synon që Ukraina të paguajë për ndihmën nga Uashingtoni.

“Qartësisht, kjo është një ofertë për Ukrainën që të blejë ndihmën amerikane”, tha ai./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika