Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka lavdëruar raportin e ngrohtë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pas një takimi që kanë mbajtur në resortin e Trumpit në Florida.
Netanyahu është takuar me Trumpin, kandidatin e republikanëve për president në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, një ditë pas takimit që ka pasur me presidentin amerikan, Joe Biden dhe nënpresideten Kamala Harris, e cila është duke garuar, gjithashtu, për zgjedhjet presidenciale.
Trump e ka kritikuar Harrisin, e cila ka shprehur shqetësimet e veta për numrin e lartë të viktimave palestineze në Gazë, teksa Izraeli e vazhdon fushatën e vet ushtarake, e cila ka hyrë në muajin e nëntë.
“Mendoj që deklaratat e saj kanë qenë të pasjellshme”, ka thënë Trump.
Netanyahu ka thënë se shpreson që udhëtimi në SHBA do të rezultojë me një marrëveshje më të shpejtë për armëpushim.
“Shpresoj, por koha do të tregojë”, u ka thënë ai gazetarëve.
Trump ka hedhur poshtë sugjerimet se ka tensione në raport me Netanyahun, pasi ai pati kritikuar kryeministrin izraelit pse forcat izraelite të sigurisë kanë dështuar që t’ia pamundësojë Hamasit kryerjen e sulmit të 7 tetorit.
Militantët e Hamasit – grupit palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – kanë kryer sulme në jug të Izraelit më 7 tetor, duke lënë të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.
Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Izraeli, më pas, ka nisur fushatë në Gazë për të shkatërruar Hamasin.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.
Sondazhet publike tregojnë se Harris dhe Trump janë në garë të ngushtë për t’i fituar zgjedhjet, dhe kjo mund të ndikojë që liderët botërorë, sikurse Netanyahu – që tradicionalisht janë më të afërt me republikanët – të tregojnë balancë në qëndrimet lidhur me SHBA-në./Radio Evropa e Lirës