Ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga gara e vitit 2024 edhe pse përballet me akuza shtetërore dhe federale.
Ai tha këtë të diel në një emision radiofonik të drejtuar nga aleati i tij për një kohë të gjatë Roger Stone.
Në pyetjen e Roger Stone drejtuar ish-presidentit Trump se mund ose nuk mund të përballet me akuza shtesë dhe nëse ka ndonjë rrethanë në të cilën Trump mund ta shohë veten duke u larguar nga zgjedhjet presidenciale 2024, përgjigjja e Donald Trump ishte e prerë: “Jo, asnjë”, shkruan CNN.
Trump do të paraqitet në një sallë gjykate federale në Miami sot, pasi u bë ish-presidenti i parë në historinë e SHBA-së që përballet me akuza federale.
Trump përballet me 37 akuza, mes të cilave, mbajtje e qëllimtë e dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme. Kjo është hera e parë në historinë e vendit që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale.
Dalja para gjykatës në Miami është planifikuar të ndodhë të martën në orën 15:00 me orën lokale. Kjo do të jetë hera e dytë që nga muaji prill, që Trump përballet me akuza penale.
Por, ndryshe nga rasti i Nju Jorkut, ekspertët ligjorë e kanë cilësuar aktpadinë e prokurorëve federalë një çështje më të fortë.
Akuzat përfshijnë ndër të tjera shkelje të ligjit të spiunazhit, i cili e konsideron një vepër penale mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve që lidhen me mbrojtjen. Nëse shpallet fajtor, Trump rrezikon një dënim maksimal prej 20 vjetësh heqje lirie.
Ish-presidenti thotë se është i pafajshëm dhe është zotuar se do të vazhdojë fushatën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2024.
Trump, i cili mbush 77 vjeç të mërkurën, la klubin e tij të golfit në Bedminster të shtetit të Nju Xhersit shoqëruar nga një autokolonë ndërsa mbështetës të tij ishin mbledhur për një tubim mesdite, në një tjetër klub golfi, në zotërim të tij, në Miami.
“Shpresoj që i gjithë vendi po sheh atë që e majta radikale po i bën Amerikës”, shkruante Trump në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social”, përpara se avioni i tij, me emrin Trump, të nisej drej Floridës.
Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar popullaritetin e Trump-it në mesin e votuesve republikanë. Sondazhet e opinionit publik e tregojnë atë shumë përpara rivalëve të tij, që garojnë për të siguruar kandidimin zyrtar nga partia. Deri më tani, të gjithë kandidatët kanë qenë kryesisht në anën e tij mbi këtë çështje.
Paraqitja e Trump-it në gjykatë po paraprihet nga një retorikë e përshkallëzuar në internet, përfshirë deklaratat me tone sfiduese nga ana e ish-presidentit dhe aleatëve të tij politikë. Kjo ka bërë që zyrtarët e zbatimit të ligjit të vihen në gatishmëri për probleme të mundshme që lidhen me sigurinë. Autoritetet thanë se po monitorojnë gjithashtu planet për mitingje pro Trump në Miami.
Aktpadia ka rikthyer vëmendjen te gjykatësja federale Aileen Cannon, emri i së cilës u bë i njohur për publikun verën e kaluar, kur ajo mbikëqyri procedurat gjyqësore në lidhje me kontrollin e autorizuar, që FBI-ja kreu në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago të Floridës, për të marrë dokumentet sekrete. Cannon, emëruar në këtë detyrë nga Trump në vitin 2020, do të jetë edhe gjykatësja e çështjes që lidhet me dokumentet sekrete.
Cannon mbahet mend për vendimin e saj të diskutueshëm për të caktuar një ekspert të posaçëm, për të shqyrtuar mënyrën se si u mblodhën provat gjatë kërkimit të kryer nga FBI-ja, një vendim që u rrëzua përfundimisht nga një gjykatë apeli, me gjykatës konservatorë, që u treguan mjaft kritikë mbi mënyrën e trajtimit të çështjes nga zonja Cannon.