Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të enjten se beson që presidenti rus, Vladimir Putin do të mbajë fjalën në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, teksa kryeministri britanik, Keir Starmer ka tentuar të fitojë garanci të sigurisë për Kievin.
Trump ka pasur qasje miqësore teksa është takuar me Starmerin në Uashington, si dhe e ka tërhequr një koment që ka bërë për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, kur e ka quajtur “diktator”, çka pati alarmuar kryeqytetet evropiane.
I pyetur për deklaratën për Zelenskyn, Trump ka thënë: “A e kam thënë këtë më parë? Nuk e besoj se e kam thënë”.
Ndërkohë presidenti amerikan ka insituar se i beson Putinit nëse arrihet marrëveshje për Ukrainën, një deklaratë ndryshe prej paralajmërimit të Starmerit, i cili ka thënë se mungesa e garancive amerikane do ta inkurajonte Putinin që të përsërite pushtimin e nisur në shkurt të vitit 2022.
Britania dhe Franca kanë thënë se janë të gatshme të angazhojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë, mirëpo duan garanci amerikane të sigurisë, përfshirë vëzhgim ajror apo satelitor, apo ndihmë tjetër ajrore.
“Mendoj se do ta mbajë fjalën”, u ka thënë Trump gazetarëve, i ulur afër Starmerit, teksa i është bërë pyetje për Putinin.
“Kam biseduar me të, e njoh për kohë të gjatë, nuk besoj që nuk e mban fjalën”.
Trump ka thënë se Britania “mund të kujdeset për veten”, por nëse ka nevojë, do të jetë gjithmonë me britanikët.
Kryeministri britanik i ka thënë Trumpit në Shtëpinë e Bardhë se dëshiron të punojë me të “për të garantuar se paqja është afatgjate”, dhe që do të jetë një marrëveshje që “askush nuk e thyen”.
Starmer, më pas, ia ka dorëzuar Trumpit – admirues i Mbretërisë britanike – një letër prej mbretit Charles III, përmes së cilës e ka ftuar në një vizitë të dytë në pallat – ftesë e pashembullt për një president amerikan.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, është e pashembullt”, ka thënë Starmer.
Trump do të presë Zelenskyn të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku dy liderët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje që i jep SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës.
Trump e ka kërkuar këtë marrëveshje, si kompensim për ndihmën amerikane për Ukrainën prej kur ka nisur lufta./Radio Evropa e Lirë