Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar procesin e obduksionit, për serbët që u vranë në Banjskë të komunës së Zveçanit, në shkëmbimin e zjarrit me policinë e Kosovës.
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë vazhdojnë të qëndrojnë trupat e sulmuesve që u vranë nga Policia e Kosovës, që u vranë në Banjskë të Komunës së Zveçanit në veri. Ende nuk dihet se kur do të largohen nga këtu.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së, thotë se largimi i tyre bëhet vetëm me urdhër të prokurorit.
“Proedura e autopsisë ka përfunduar, trupat gjenden ende në morgune IML-së, dhe do të qëndrojnë aty derisa nuk lirohen nga ana e prokurorit… jo nuk kemi asnjë informat për momentin dhe derisa nuk ndryshon kjo trupat do të qëndrojnë aty”, ka thënë Ditor Haliti – Instituti i mjeksisë Ligjore.
Halitit tutje nuk ka dhënë detaje, porse ka thënë se së shpejti do të bëhet gati edhe raporti, dhe më pas do i dorëzohet Prokurorisë Speciale.
“Sigurisht tash raporti i autopsisë do të marr kohë, pasi që duhet të u nënshtrohet edhe analizave shtesë laboratorike, dhe sapo të kryhen të gjitha analizat shtesë, do i dorëzohet prokurorisë.. varet sa ka kërkesa për analiza laboratorike, sigurisht që ka me pas atëherë shkon në disa javë apo edhe në muaj”, ka thënë Haliti.
Në lidhje me largimin e trupave nga IML-ja, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se duhet të flasim vetëm me prokurorin e rastit Naim Abazi, e i cili ka qenë i paqasshëm gjatë ditës.
Abazi ditë më parë, kishte thënë se trupat e pajetë pas obduksionit do u dorëzohen familjeve të tyre. Për procedurën e dorëzimit, nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Punëve të Jashtme, e as ajo e Drejtësisë.
Një grup terrorist të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur një zyrtar policor, derisa pas operacionit të policisë është bërë e ditur se nga shkëmbimi i zjarrit, të vrarë kanë mbetur 3 terrorist, trupat e të cilët u gjetën në Banjskë.