Punonjës të institucioneve të ndryshme në veri të Mitrovicës kanë filluar të mblidhen para hyrjes së Stacionit të Policisë së Kosovës dhe objektit të gjykatës, të martën e 23 gushtit.
Siç raporton mediumi serb “Kossev”, ndonëse disa nga qytetarët që po qëndrojnë atje nuk kanë pranuar të flasin, disa të tjerë jozyrtarisht kanë thënë se nuk e dinë as arsyen e tubimit, por që të njëjtit janë ftuar.
“Për momentin, në mesin e të mbledhurve nuk ka zyrtarë, përveç një këshilltari nga Komuna e Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Një pjesë e rrugës është bllokuar për momentin nga një cisternë, një mjet civil dhe një kamionçinë, por mjetet janë larguar shpejt”, raportoi Kossev.
Sipas këtij mediumi, në zonën e stacionit policor, ndodhen disa pjesëtarë të policisë, ndërkohë që është mbyllur porta përmes të cilës hyjnë veturat.
Bazuar në burimet e Kossevit, arsyeja e grumbullimit është arrestimi i inspektorit N.R., i cili u denoncua në polici nga aktivisti dhe udhëheqësi i iniciativës qytetare “Srpski opstanak”, Aleksandër Arsenijeviq.
Ndryshe, në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, punimet në stacionin e ri të policisë kufitare janë në përfundim. Krahas kësaj, praninë dhe patrollimin në këtë zonë e kanë shtuar së fundmi Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës si dhe trupat e KFOR-it.