Një shtetas turk ka humbur jetën në vendin e punës në fshatin Zatriq të Rahovecit.
I ndjeri derisa ishte duke punuar është goditur nga rrufeja, e cila lëndoi një person tjetër që është jashtë rrezikut për jetë.
Nga Turqia kishte ardhur në Kosovë, pasi kishte gjetur një vend pune në gurëthyesin “Rubini Corp” në fshatin Zatriq të Rahovecit.
Si zakonisht, 34-vjeçari kishte dalë edhe të hënën në vend punishte për t’i kryer punët e përditshme.
Por shkaku i stuhisë, shtetasi turk humbi jetën tragjikisht.
Me të marrë vesh për ngjarjen e ndodhur, Drejtori i Kompanisë “Rubini Corp”, Alben Pllava ishte nisur për vendin e ngjarjes.
“Në kohën e ndodhjes së rastit nuk kam qenë nëvendpunishte. Jam informuar nga kryepunëtori dhe me shpejtësi kam marrë makinën dhe jam nisur për aty, me të mbërritur e kam pa njërin nga punëtorët të cilin me shpejtësi e kemi futur në makinë dhe e kam dërguar në QKMF Malishevë dhe prej aty jemi nisur për QKUK. Rrugës kam kuptuar që punëtori tjetër me ambulancëështë duke u dërguar në Spitalin e Prizrenit”, ka thënë Pllava.
Mirëpo, sipas mjekut të Spitalit të Prizrenit, Afrim Jahi, viktima kishte ardhur pa shenja jete në Emergjencë.
“Dje rreth orës 16 e 30 minuta, e kanë pru një pacientë në Qendrën Emergjente, pacienti në pranim ka qenë pa shenja jete, do të thotë pa puls, pa tension, pa frymëmarrje… Vdekja është konfirmu dikun kah ora 16 e 50 minuta, kjo ka ardhë si pasojë e një goditje nga rryma, domethënë nga rrufeja, në raport kemi vërejtë që është shënuar një shenjë e goditjes në kokë nga ana e djathtë”, ka thënë Jahi.
Ndërsa, sipas Alben Pllavës, pacienti i lënduar është liruar nga QKUK-ja dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Sa i përket punëtorit tjetër, pas marrjes së tretmanit mjekësor është liruar në gjendje të mirë dhe stabile nga QKUK”, ka thënë Pllava.
Policia për këtë rast ka thënë se është duke u hetuar.
“Me të ndodhur rasti në vend-ngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit, sipas të cilit është iniciuar rast “Hetim i Vdekjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Rast tragjik si pasojë e motit të keq të hënën kishte ndodhur edhe në Prishtinë.
Si pasojë erërave të forta, rrëzimi i një lisi në kryeqytetia mori jetën një 30-vjeçari, derisa lëndoi një grua të së njëjtës moshë.