Turqia nisi sulme ajrore mbi rajonet veriore të Sirisë dhe Irakut, ka thënë të dielën Ministria turke e Mbrojtjes, duke synuar grupet kurde që Ankaraja i konsideron përgjegjëse për sulmin me bombë të javës së kaluar në Stamboll.
Avionët luftarakë sulmuan bazat e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Sirian, ose YPG, ka bërë të ditur ministria në një deklaratë, e cila u shoqërua me imazhe të avionëve F-16 që ngriheshin dhe pamjet e një sulmi nga një dron ajror.
- E diela “e pazakontë” në Stamboll, gjithçka nga sulmi që tronditi Turqinë
- Sulmi me bombë në Stamboll, numri i të vdekurve shkon në gjashtë
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga asnjëri grup.
Ministria përmendi të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara në nisjen e një operacioni që e quajti “Shpata e drejtë” vonë të shtunën në mbrëmje. Nga ana e tyre thuhet se kishte në shënjestër zonat “të përdorura si bazë nga terroristët në sulmet e tyre ndaj vendit tonë”.
Turqia ka thënë se po kërkonte të parandalonte sulmet, të siguronte kufirin e saj jugor dhe “të shkatërronte terrorizmin në burimin e tij”.
Sulmet ajrore erdhën pasi një bombë tronditi një rrugë të zhurmshme në zemër të Stambollit më 13 nëntor, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur mbi 80 të tjerë. Autoritetet turke fajësuan për sulmin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), dhe degën e saj siriane Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG).
Megjithatë, grupet militante kurde kanë mohuar përfshirjen, raporton AP, transmeton Dukagjini.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka raportuar se ushtria turke kishte kryer më shumë se 20 sulme ajrore në të dy provincat. Grupi ka një rrjet të gjerë kontaktesh në të gjithë Sirinë.
Kobane, një qytet me shumicë kurde në Sirinë veriore pranë kufirit turk, u pushtua nga grupi i Shtetit Islamik në fund të vitit 2014, megjithëse luftëtarët kurdë i dëbuan ata në fillim të vitit të ardhshëm.
Si PKK ashtu edhe YPG kanë mohuar çdo përfshirje në sulmin e Stambollit , në të cilin u vranë gjashtë vetë.
Por, ministri i brendshëm turk, Süleyman Soylu, ka thënë se Ankaraja beson se urdhri për sulmin është dhënë nga Kobane. Ankaraja dhe Uashingtoni të dy e konsiderojnë PKK-në një grup terrorist, por nuk bien dakord për statusin e YPG-së. Nën flamurin e Forcave Demokratike Siriane, YPG ka qenë aleate me SHBA-në në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri.