Në një fjalim të shtunën e 19 gushtit, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, ka thënë se anijet e ngarkuara me grurë nga portet e Detit të Zi të Ukrainës në bazë të një marrëveshjeje eksporti të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, ka hedhur “bazën për një mjedis të përhershëm paqeje”.
“Që nga 1 gushti, gjithsej 53 anije kanë lundruar për dërgesat e grurit, 27 prej të cilave janë nisur nga portet ukrainase,” tha Hulusi Akar në Qendrën e Përbashkët të Koordinimit të Stambollit (JCC) së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Guterres tha se më shumë se 650 mijë tonë metrikë drithë dhe ushqime të tjera “janë tashmë në rrugën e tyre drejt tregjeve në mbarë botën”.
Kriza ushqimore
Pas takimit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në qytetin perëndimor të Lviv të enjten, Guterres tha se kishte shenja se tregjet globale të ushqimit kishin filluar të stabilizoheshin pas marrëveshjes.
Zelensky më vonë u bëri thirrje vendeve të zhvilluara për të ndihmuar vendet në zhvillim të blejnë grurë.
“Lëvizja e drithërave nuk do të thotë shumë për vendet që nuk mund ta përballojnë atë,” tha Guterres të premten në Odesa, raporton CNN.
“Është koha për mbështetje masive dhe bujare në mënyrë që vendet në zhvillim të mund të blejnë ushqimin nga ky dhe portet e tjera. Vendet në zhvillim kanë nevojë për akses në financim dhe lehtësim borxhi tani. Ata kanë nevojë për burime për të investuar në njerëzit e tyre tani,” shtoi ai.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), uria globale është rritur masivisht nga 135 milionë njerëz me pasiguri akute ushqimore në 2019 në 345 milionë në vitin 2022. Ai përfshin “50 milionë njerëz në 45 vende që po trokasin në derën e urisë,” tha David Beasley, drejtori ekzekutiv i WFP.
Kriza e sotme është shumë më e keqe se rritja e mëparshme e çmimeve të ushqimeve nga 2007 në 2008 dhe 2010 në 2012, të cilat të dyja nxitën trazira në mbarë botën, duke përfshirë revolucionet në Lindjen e Mesme.
Ekspertët e sigurisë ushqimore kanë paralajmëruar rrezik të madh gjeopolitik nëse nuk merren masa.
“Ky vit ka dëshmuar tashmë destabilizimin politik në “Sri Lanka, Mali, Çad, Burkina Faso, trazira dhe protesta që po ndodhin në Kenia, Peru, Pakistan, Indonezi … këto janë vetëm shenja që gjërat që do të vijnë do të përkeqësohen,” shtoi Beasley.