Turqia ka filluar të paguajë në rubla një pjesë të gazit natyror nga Rusia.
Kështu ka bërë të ditur të martën ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez, raporton Reuters.
Në një intervistë për transmetuesin TRT, Donmez tha se në muajt e ardhshëm pjesa e pagesave në monedhën vendase në importet për energji me Rusinë do të rritet.
Rusia, e goditur nga sanksionet perëndimore për pushtimin e saj në Ukrainë, po kërkon gjithnjë e më shumë nga blerësit e energjisë së saj të paguajnë në rubla për të ndihmuar në forcimin e monedhës së saj.
Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare të energjisë bëhen në dollarë amerikanë ose euro.
Ankaraja dhe Moska ranë dakord në shtator për të filluar pagesat me rubla për furnizimet me gaz natyror.
Kur u pyet për propozimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për një qendër të gazit natyror në Turqi, Donmez tha se Ankaraja do të hartojë një udhërrëfyes deri në fund të këtij viti dhe mund të mbajë një konferencë për furnizuesit dhe blerësit.
Bashkimi Evropian, i cili më parë mbështetej te Rusia për rreth 40 për qind të nevojave të saj për gaz, po kërkon të hiqet dorë nga energjia ruse pas pushtimit të Ukrainës në muajin shkurt të këtij viti.