Vijat e kuqe janë kryefjalë të partive politike nëpër fushata zgjedhore.
Por rezultatet zgjedhore, në shumicën e rasteve u imponojnë atyre bashkëqeverisje.
Megjithatë, shumë koalicione janë përfunduar parakohe gjatë, e i fundit ishte ai në kryeqytet, ku gjatë së enjtes, Partia Demokratike e Kosovës i dha fund koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Por këto dy parti politike, pa telash e vazhdojnë bashkëpunimin në komuna të tjera.
Një prej tyre është komuna e Pejës, kryetari i së cilës, Gazmend Muhaxheri, derisa përshkruan punën e koalcionit, përdor një frazë të futur në përdorim nga një zëvendësministër nga Lëvizja Vetëvendosje.
”Si vaji në tepsi, që po thotë ai i Vetëvendosjes. Koalicioni në komunën e Pejës është duke shkuar normalisht. Nuk kemi asnjë tendencë për me u prish. Koalicioni në Pejë është i suksesshëm, është qe 10 vjet. Qikaq”, ka thënë Muhaxhiri.
Jo më ndryshe deklarohet edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.
”Deri më sot ka shkuar mirë, nuk kemi pas probleme në funksionim. PDK-ja i ka tri drejtori edhe nënkryetarin. Deri më tani ka shkuar mirë nuk ka pasur probleme të theksuara, sigurisht ka përplasje në kuptim të funksionimit, në shërbim të qytetarëve por jo diqka shqetësuese që të çon në ndonjë prishje eventuale, tek e fundit është marrëveshje politike. Secila komunë i ka specifikat e saja, i ka njerzit e saj, dallojmë edhe strukturalisht, në formë të punës dhe qasjes ndaj problemeve” ka thënë Ferati.
E nga PDK në Viti thonë se veprimet e ndërmarrura në Prishtinë nuk kanë ndikuar në vendin ku ata bashkëqeverisin me LDK-në.
”Në Viti po funksionon normal, po mundohemi të punojmë së bashku, temat e përgjithshme çka janë në interes të vendit. Parimisht, jo sepse koalicionet lokale janë koalicione lokale që varen prej nivelit lokal se qysh funksionojnë. Nuk varet komuna me komunë, varet krejt konkretisht prej bashkëpunimit se si i kanë mundësitë me vepru. Nuk ka naj vendim të përgjithshëm. Përderisa s’ka vendim të përgjithshëm, vendimet lokale funksionojnë të pavarura komunat dhe degët nëpër komuna që janë t’u funksionu”, ka thënë Bekim Azizi, kryetar i degës së PDK-së në Viti.
Shkëputja e koalicionit në Prishtinë erdhi pas shfuqizimit të vendimit për shkëmbimin e pronës private në Badoc me pronën publike komunale në zonën e “Prishtina e Re”.
Këtij vendimi i paraprinë edhe shkarkime të zyrtarëve nga radhët e PDK-së, përfshirë drejtorit të shërbimeve publike Ilirik Musliu dhe nënkryetares, Donjeta Sahatçiu.
Gjatë këtij mandati, PDK ka prishur koalicionet edhe në Podujeve e Gjilan, me partinë që udhëheq në këto komuna, Lëvizjen Vetëvendosje.