Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar pas raportimit se po hetohet nga Task Forca Antikorrupsion në Policinë e Kosovës.
Si ka raportuar “Betimi për Drejtësi”, Durmishi po hetohet në lidhje me tenderin e tiketave, për të cilin pas nënshkrimit ishte zmbrapsur.
Durmishi ka thënë se le të hetojnë çfarë të duan, duke i sfiduar autoritet kompetente që ta hetojnë që nga dita e parë kur ia ka nisur punës.
“Mbrëmë është publikuar një lajm që po hetohem për rastin e tiketave ngjitëse. Le të hetojnë çfarë të duan jo vetëm për këtë rast por për çdo gjë që nga dita e parë kur kam filluar punën. Ka kaluar një vit e katër muaj prej kur kemi filluar me aplikimin e tiketave ngjitëse me zero kosto për qytetarët. Si rezultat i saj dhe masave tjera sot automjetet e paregjistruara në Kosovë kanë rënë nën pragun prej 5%. Ky ka qenë kriteri kryesor për kartonin e gjelbërt. Tashmë i kemi plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe jemi në rrugë të mbarë që të bëhemi pjesë e kartonit të gjelbërt”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një rast po hetohet nga Task Forca për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se dyshohet se në një rast ku në mënyrë të kundërligjshme rreth 300 mijë euro janë shpenzuar për projekte për minoritetet.
Në lidhje me këtë ka reaguar Krasniqi, i cili ka thënë se tash e ka kuptuar që është nën hetime, duke shtuar se s’ka qenë as në dijeni e as i ftuar nga organet kompetente.
Krasniqi ka theksuar se komunitetet në Kosovë për herë të parë po mbështen seriozisht nga Qeveria.
“Sapo e kuptova nga portali ‘Betimi për Drejtësinë’, që qenkam nën hetime. Deri më tani nuk kam qenë në dijeni e as që jam ftuar nga ndonjë institucion hetues. Ajo për çka jam i sigurt është që për herë të parë komunitetet po mbështeten seriozisht nga Qeveria. Ligji, transparenca dhe puna e ndershëm është baza e çdo vendimi tim. Mbesim të përkushtuar për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve e në veçanti atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.