UBT në bashkëpunim me partnerët italianë organizon kursin për fonde dhe projekte Evropiane në Parlamentin Evropian

UBT, në bashkëpunim me partnerët italianë, ka organizuar kursin e parë për fonde dhe projekte evropiane, i cili u zhvillua në ambientet e Parlamentit Evropian. Ky kurs synon të forcojë njohuritë dhe aftësitë e pjesëmarrësve në menaxhimin dhe aplikimin e projekteve financuese evropiane.

Kursi u organizua në bashkëpunim me ITA-ICE, Flavio Boccia & Partners, ABCorporation, Nexumstp, Eurocogit, IC&Partners, Zyrën Ligjore Boccia & Partners, Urdhrin Kombëtar të Kontabilistëve të Certifikuar të Italisë dhe UBT, duke u mbështetur edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare.

Ky kurs mori mbështetje të fuqishme nga eurodeputeti Alberico Gambino dhe ishte një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e aftësive të specialistëve të rinj në fushën e europrojekteve, me një fokus të veçantë për Italinë, Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Gjatë këtij eventi, rektori Hajrizi, në fjalimin e tij, theksoi potencialin, angazhimin dhe gatishmërinë e ekosistemit të UBT-së për të kontribuar në zhvillimin e projekteve të ndryshme në nivel evropian.

Në fjalimin e tij, Hajrizi shprehu përkushtimin e UBT-së për të ndihmuar në avancimin e projekteve që mbështesin zhvillimin e politikave dhe iniciativave evropiane, duke siguruar që edukimi, kërkimi shkencor, inovacioni dhe industria të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e rajonit dhe më gjerë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë dhe potencialin e bashkëpunimit midis institucioneve evropiane, italiane, të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të trajnohen dhe të mësojnë më shumë për mundësitë që ofron Bashkimi Evropian për projektet ndërkombëtare dhe të shohin eksperienca dhe këndvështrime nga ekspertët që prezantuan në këtë kurs.

Një vlerë e shtuar ishte edhe vetë prezenca gjatë këtyre ditëve në Parlamentin Evropian, duke e përjetuar drejtpërdrejt ambientin e punës në Parlamentin Evropian.

Para disa kohësh, UBT së bashku me disa nga partnerët e këtij bashkëpunimi ka themeluar UBT Italian Innovation Hub në UBT Smart City, një hap i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e projekteve inovative ndërkombëtare.Duke parë interesimin e madh për tematika të tilla, UBT dhe partnerët kanë vendosur që kurse të tilla të ofrohen edhe në Kosovë dhe në rajon.