Forcat rebele siriane kanë deklaruar se do t’i mbyllin burgjet famëkeqe të drejtuara nga regjimi i rrëzuar i Bashar al-Assad dhe se do të ndjekin ligjërisht të gjithë ata që kanë marrë pjesë në torturimin apo vrasjen e të burgosurve.
Ahmed al-Sharaa, i njohur si Abu Mohammed al-Jolani, udhëheqësi i grupit militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), ka deklaruar se forcat e sigurisë së regjimit të kaluar do të shpërndahen plotësisht, raporton BBC.
Pas rrëzimit të regjimit, janë publikuar pamje që tregojnë mijëra të burgosur duke u liruar nga burgu famëkeq Saydnaya, i cili nga grupet e të drejtave të njeriut përshkruhet si “thertore për njerëzit”.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se pothuajse 60,000 persona janë torturuar dhe vrarë në burgjet e drejtuara nga Assadi.
Rënia e regjimit erdhi pas një ofensivë rrufe nga HTS dhe fraksionet e tjera rebele, duke përfunduar sundimin 54-vjeçar të familjes Assad.
Bashar al-Assad dhe familja e tij janë larguar drejt Rusisë, ku kanë kërkuar azil.
Jolani theksoi se nuk do të ketë falje për ata që kanë marrë pjesë në krime kundër të burgosurve.
“Ne do të ndjekim këdo që ka marrë pjesë në këto mizori, si brenda Sirisë ashtu edhe jashtë saj, dhe do të kërkojmë nga vendet e tjera dorëzimin e të arratisurve për të sjellë drejtësi”, ka theksuar ai.
Pas rënies së regjimit, qytetarët sirianë janë dyndur drejt burgjeve famëkeqe të regjimit, në përpjekje për të gjetur të dashurit e tyre që janë mbajtur në burg ose janë zhdukur.