Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit ka deklaruar se sot(e marte) udhëheqësit e Hamasit janë larguar nga zyra e tyre në Doha.
Kjo ministri ka mohuar raportimet se Katari ka urdhëruar mbylljen e përhershme të zyrës politike të Hamasit dhe dëbimin e drejtuesve të saj.
“Nëse ka ndonjë vendim për mbylljen e përhershme të zyrës, do ta dëgjoni këtë lajm këtu ose në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i MPJ-së së Katarit, Madzhid bin Muhamed al-Ansari, shkruan Reuters përcjell Dukagjini.
“Udhëheqësit e Hamasit që janë pjesë e ekipit negociator nuk janë aktualisht në Doha dhe, siç e dini, ata lëvizin midis kryeqyteteve të ndryshme”, është shprehur ai.
Tutje Madzhid bin Muhamed al-Ansari është shprehur se “Zyra në Doha u krijua për procesin e ndërmjetësimit – është e qartë se kur nuk ka proces ndërmjetësimi, zyra nuk ka asnjë funksion”.
Zëdehënësi i MPJ-së së Katarit nuk ka treguar se ku janë larguar udhëheqësit e Hamasit dhe nuk e përjashtoi mundësinë që Doha të rikthehet në rolin e saj si ndërmjetës.
“Pezullimi i përpjekjeve negociuese në asnjë mënyrë nuk nënkupton që ka një qëndrim të Katarit për t’u tërhequr nga përpjekjet për de-përshkallëzim ose që ka një ndryshim në pozicionin e shtetit të Katarit në lidhje me nevojën për t’i dhënë fund këtij konflikti”, është shprehur ai.