Qëndroi gati një muaj në Amerikë, por takimet në Shtëpi të Bardhë nuk i pati në agjendë.
Nga shtëpia më e famshme në SHBA, Kurti arriti të takojë vetëm këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Biden.
Megjithatë, i gjithë qëndrimi i kreut të legjislativit përtej Atlantikut po kritikohet ashpër.
Njohës të rrethanave politike në vend thonë se krerët e shtetit gjithmonë janë pritur nga Pentagoni e Shtëpia e Bardhë.
“Vizita e Kryeministrit Kurti në Amerikë ka qenë e pazakontë, pasi jemi mësuar që sa herë që shkojnë në SHBA, presidentët dhe kryeministrat të takohen më krerët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, por kësaj radhë s’ka ndodhur kjo”, ka thënë Artan Muhaxhiri -njohës i çështjeve politike.
Muhaxhiri ka kritikë edhe për vizitat e kryeministrit në kompanitë me renome ndërkombëtare.
“Nuk është më rëndësi që Kryeministri të shkojë në kompanitë e mëdha, por ato duhet të vijnë në Kosovë dhe të shprehin interes për investim në Kosovë. Kurti do të tentojë të prezantojë këtë vizitë si një të arritur spektakulare të tij, së pari për shkak të gjatësisë së vizitës, por do të ishte më mirë që të kishte takime vendimmarrëse me njerëzit kryesorë të administratës amerikane”, shtoi Muhaxhiri.
Ish-diplomatja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila sot mban pozitën numër dy në PDK, vizitën e Kurtit në SHBA e quan më shumë vizitë studimore.
“Vizita e kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shumë pak përjashtime ka qenë e zbehtë dhe më shumë ka ngjasuar një vizitë studimore, sesa një vizitë zyrtare të një kryeministri. Është e paprecedentë që një kryeministër në detyrë t’ia japë luksin vetvetes që të qëndrojë në ShBA një kohë të gjatë për të eksploruar dhe realizuar, po e citoj deputetin e LVV-së, ‘ëndrrat e veta’. Kryeministri duhet të ketë agjendë të saktë, konkrete dhe zyrtare”, ka thënë Vlora Çitaku.
Kryeministri Albin Kurti qëndroi për një vizitë zyrtare në Amerikë për 16 ditë, që nga gjashtë maji.
Gjatë qëndrimit në Amerikë, Kurti pati takime më përfaqësues të kompanive teknologjike e me drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.
Që nga marrja e mandatit si kryeministër, kjo është vizita e parë zyrtare e Kurtit në SHBA.