Ukraina bën sërish thirrje për anëtarësim të plotë në NATO

Ukraina ka kërkuar sërish anëtarësimin në NATO si garanci për sigurinë e saj, ndërsa Rusia ka paralajmëruar se një hap i tillë do të përbënte një kërcënim, duke shtuar tensionet përballë luftës që ka nisur më shumë se dy vjet më parë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha.

Ukraina ka bërë sërish thirrje për anëtarësim në NATO, duke thënë se vetëm duke iu bashkuar plotësisht aleancës mund të garantohet siguria e saj në të ardhmen, teksa e lufton pushtimin rus, të nisur gati tre vjet më parë.

“Ne jemi të bindur që garantuesi i vetëm real për sigurinë e Ukrainës, si dhe faktori parandalues për agresion të mëtejmë rus kundër Ukrainës dhe vendeve tjera, është anëtarësimi i plotë i Ukrainës në NATO”, ka thënë Ministria e Jashtme e Ukrainës përmes një deklarate të lëshuar para takimit të 3 dhjetorit mes ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel.

Duke reaguar ndaj kësaj deklarate, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë të martën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO, do të ishte “i papranueshëm” dhe do të përbënte “kërcënim” për Rusinë.

Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se pranimi i Ukrainës në NATO, do t’i jepte fund asaj që e ka quajtur “fazë të nxehtë të luftës”, të nxitur nga Rusia, prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.

Zelensky ka thënë për Sky News më 30 nëntor se do të ishte i gatshëm të shqyrtonte një armëpushim nëse territoret e papushtuara të Ukrainës do të ishin nën mbrojtjen e NATO-s, dhe për aq kohë sa një ftesë për t’iu bashkuar aleancës do të njihte kufijtë ndërkombëtarë të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, pritet të informojë ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel, për situatën aktuale në vijën e frontit në lindje të shtetit.

Atje raportohet se trupat ruse kanë shënuar përparim të kufizuar kundrejt ushtrisë ukrainase me numër të më vogël të ushtarëve dhe me më pak armë.

Në takimin në Bruksel pritet të diskutohet për vazhdimin e ndihmës ushtarake të NATO-s për Ukrainën, si dhe për sulmin që ka kryer muajin e kaluar Rusia me një raketë balistike eksperimentale kundër qytetit ukrainas, Dnjipro.

Rusia ka thënë se raketa e re me rreze të mesme veprimi, e quajtur Oreshnik, mund të godasë shënjestra përreth Evropës dhe nuk mund të bllokohet nga mbrojtjet ajrore.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Të fundit nga rubrika