Ukraina kreu një valë sulmesh me dronë thellë brenda territorit të Rusisë mëngjesin e së hënës, duke i dëmtuar objektet e infrastrukturës në dy rajone, thanë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe zyrtarët rajonalë.
Një ditë më parë, një sulm i raportuar ukrainas shkaktoi zjarr në një rafineri nafte në Rusi.
Në rajonin perëndimor të Rusisë, Oryol, një termocentral u dëmtua pasi u godit nga copëzat e dy dronëve të rrëzuar ukrainas mbi qarkun Glazunovski, tha guvernatori rajonal Andrey Klychkov, në Telegram.
“Shërbimet emergjente janë duke u marrë me pasojat e sulmit ajror, ndërsa agjencitë për sundim të ligjit janë në vendin e ngjarjes”, shkroi Klychkov, pa shpjeguar se çfarë dëmesh ka pësuar termocentrali.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore i shkatërroi 39 dronë ukrainas, prej të cilëve: 19 mbi rajonin Kurks, 9 në Belgorod, 3 në Voronezh, 5 në Bryansk dhe 3 mbi rajonin Leningard.
Pretendimet e Rusisë nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Kjo është dita e dytë radhazi që sulmet e raportuara ukrainase shkaktojnë dëme në objektet e infrastrukturës ruse.
Më 28 korrik, u raportua se dronët e ushtrisë ukrainase goditën një depo nafte në rajonin Kurks. Video të postuara online shfaqën një zjarr të madh në të. Guvernatori rajonal, Aleksei Smirnov, tha se tri cisterna nafte u përfshinë nga zjarri si pasojë e sulmeve me dronë.
Prej se e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 2022, Moska vazhdimisht dhe sistematikisht i ka goditur objektet infrastrukturore dhe civile në Ukrainë, duke shkaktuar viktima dhe dëme.