Ukraina është një eksportues kryesor i grurit, elbit, lulediellit dhe misrit në botë. Fermerët dhe analistët thanë se mbjellja, korrja dhe eksporti janë ndërprerë nga aktiviteti ushtarak, mungesa e plehrave, mbyllja e porteve dhe furnizimi i paktë i karburantëve për traktorë.
Klubi ukrainas i Agrobiznesit (UCAB), shoqatë bujqësore në Ukrainë, thotë se fermerët që përballen me këto vështirësi kanë rendimente më të ulëta. Kjo shoqatë vlerëson se një e treta e tokës që përdoret për kultura pranverore mund të mbetet e pambjellë këtë vit.
Andrii Dykun, kryetar i Këshillit Bujqësor të Ukrainës, ka thënë: “Derisa shumica e grurit të Ukrainës mbillet në vjeshtë, kulturat e tjera, duke përfshirë misrin dhe lulediellin, mbillen në pranverë, gjatë javëve të ardhshme. Kufizimet në shitjen e grurit, të mbajtur në ruajtje, nuk janë vetëm një kërcenim për sigurinë botërore të ushqimit. Ukraina merr shumicën e furnizimeve të saj me naftë nga Bjellorusia dhe Rusia, por tani po përpiqej të gjente burime të tjera nga Evropa.”
Zyrtarët e Ukrainës kanë thënë se rrugët e tjera të eksportit, përmes lumit Danub, hekuradhave dhe rrugëve, janë të kufizuara nga objektet e papërshtatshme.
Programi Botëror i Ushqimit dhe agjensia e OKB-së që ofrojnë furnizime emergjente për vendet në konflikt, thanë se kostoja e lartë e ushqimit ka bërë që të shkurtohen racionet e ushqimeve.