Ukraina nxjerr para Perëndimit “Planin e Fitores”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paraqiti "Planin e Fitores" në Bruksel, por kërkesat e tij për anëtarësim në NATO dhe përdorim armësh në territorin rus nuk morën mbështetje të qartë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy iu drejtohet ligjvënësve teksa prezanton të ashtuquajturin 'Plani i Fitores' gjatë një seance parlamenti, mes sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, në Kiev, Ukrainë, 16 tetor 2024. REUTERS/Andrii Nesterenko

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkoi në Bruksel më 17 tetor për të prezantuar “Planin e Fitores” me pesë pika – fillimisht para udhëheqësve të Bashkimit Evropian, e pastaj para ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.

Asnjëra prej dy organizatave perëndimore, haptazi, nuk e ka hedhur poshtë planin, dhe është e drejtë të thuhet se ato janë sjellë me dashamirësi ndaj Kievit.

Megjithatë, as pika një, as pika dy nuk japin shpresa. E para përcakton se Ukraina duhet të marrë ftesë për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa e dyta leje për të përdorur armë me rreze të gjatë – të siguruara nga Perëndimi – në territorin rus.

Kievi, prej kohësh, i kërkon këto dy pika, por nuk ka dritë jeshile.

Ukraina do që ftesën për NATO ta ketë tani, ndërsa anëtarësimi të bëhet pasi të përfundojë lufta. Në këtë mënyrë, ajo synon ta ulë frikën mes anëtarëve të NATO-s, se mund të tërhiqen në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Moskën.

Këtë kërkesë e ka paraqitur edhe në samitin e NATO-s në Vilnius, vitin e kaluar, edhe në samitin e sivjetmë në Uashington.

Në përgjigje, aleanca ushtarake ka konfirmuar se Ukraina do të jetë anëtare dikur në një të ardhme dhe ka dalë me formulime si “ura drejt anëtarësimit” ose “rruga e saj drejt anëtarësimit është e pakthyeshme”.

Kur u pyet për ftesën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i tha të njëjtat fjalë dhe nënvizoi gjithçka që organizata e tij bën për vendin e shkatërruar nga lufta.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, tingëlloi njësoj e paangazhuar. Dhe, kjo do të thotë se nuk ka asgjë të re. “Nuk kemi lëvizur përtej Vilniusit dhe Uashingtonit”, është refreni i zakonshëm që dëgjohet në NATO.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lejen për të sulmuar thellë brenda Rusisë. Ky është kryesisht një vendim i SHBA-së dhe duket se Uashingtoni nuk është i interesuar ta lejojë atë.

Zelensky u kthye duarbosh nga udhëtimi i tij në SHBA në shtator dhe duket se asgjë nuk ka ndryshuar, marrë parasysh edhe faktin se SHBA-ja është në prag të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Sa i përket kësaj, edhe mund të ketë leje të kufizuara në të ardhmen. Por, nuk duhet pritur që ato të paralajmërohen zëshëm nëpër media.

Me dy pikat e para vështirë të realizueshme, tri të tjerat – frenimi i Rusisë nëpërmjet një pakete parandaluese strategjike jobërthamore të vendosur në tokën ukrainase, mbrojtja e përbashkët nga SHBA-ja dhe BE-ja e burimeve kritike natyrore të Ukrainës dhe zëvendësimi i disa trupave amerikane, të stacionuara nëpër Evropë, me ushtarë ukrainas pas luftës – janë bërë të diskutueshme.

Zelensky e ka ditur gjithmonë se ky do të ishte një pazar i vështirë.

Por, tani për tani, përpara një dimri që pritet të jetë i vështirë dhe rraskapitës, ai ka luajtur kumar, duke e vendosur topin në fushën e Perëndimit./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Në garë me shtëpi botuese nga gjithë Evropa, “Dukagjini” fiton...

Botimi shkollor “Edukatë muzikorë 3” i shtëpisë botuese “Dukagjini” ka triumfuar në garën ‘‘Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim – EEPG, duke fituar çmimin...

“Respektohej nga Lindja e Mesme deri në ShBA” – Hoxhaj...

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe aktualisht deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar lart rolin e ish-myftiut dhe ish-ambasadorit Rexhep Boja,...

Shqipëria nis negociatat për anëtarësim në BE, Rama: Një hap...

Shqipëria ka bërë një hap në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE) duke hapur zyrtarisht kapitujt e parë të...

Të fundit nga rubrika