Ukraina si shembull

Opozita ukrainase refuzoi të mbajë zgjedhje në kohë lufte dhe, potencialisht, të vijë në pushtet, duke treguar përgjegjësi dhe shembull uniteti në një kohë të vështirë. Në Kosovë politika vepron si në një ishull, plot inate e përplasje dhe pa ide si të përshtatet me dinamikat e reja

Udhëheqësit opozitarë ukrainas, Petro Poroshenko dhe Yulia Tymoshenko, nuk kanë pranuar mbajtjen e zgjedhjeve gjatë kohës së pushtimit rus të vendit. Media të rëndësishme raportuan se zyrtarë amerikanë e kishin diskutuar me ta një ide të tillë, por ish-presidenti dhe ish-kryeministrja thanë se zgjedhjet duhet organizuar vetëm pasi të arrihet paqja.

“Ne nuk kërkojmë zgjedhje të parakohshme, pasi qëllimi ynë kryesor është që të sigurojmë që çdo zgjedhje që do të mbahen të jenë të lira dhe të drejta, në përputhje me standardet europiane”, deklaroi një bashkëpunëtor i Poroshenkos.

Ndërkaq Tymoshenko tha se ekipi i saj po bisedon me të gjithë aleatët që mund të ndihmojmë arritjen e paqes së drejtë sa më shpejt që të jetë e mundur, andaj nuk mund të ketë biseda për zgjedhje para se të arrihet ajo.

Muajin e kaluar presidenti amerikan Donald Trump e quajti Zelenskyn “diktator pa zgjedhje” për shkak të mosmbajtjes së zgjedhjeve që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. Zyrtarë amerikanë e kanë përmendur mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë si pjesë e një procesi të paqes, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin, konsideron se nuk mund të ketë bisedime për arritjen e paqes me Ukrainën, pasi që Zelensky nuk është udhëheqësi legjitim i shtetit, sepse mandati i tij duhej të përfundonte në maj të vitit 2024. Sipas kushtetutës ukrainase, Zelensky duhet të vazhdojë të jetë president, pasi që vendi është në gjendje lufte.

Por, përtej formaliteteve që përcaktojnë ligjet e kushtetuta, qëndrimi i opozitës ruse karshi kërkesave të amerikanëve tregon shumë. Nuk është veç qëndrim politik, por edhe qëndrim i fortë moral dhe njerëzor.

Përkundër mospajtimeve që mund t’i kenë dhe i kanë me Zelenskyn, ata zgjodhën arritjen e paqes përpara mundësisë së ritkthimit në pushtet, duke promovuar vlera të forta dhe duke iu dërguar mesazhe të qarta amerikanëve dhe pjesës tjetër të botës.

Zelensky nuk ka zgjedhur të udhëheq vendin në luftë, por i është imponuar. Zgjedhjet do të mbahen pas përfundimit të luftës dhe mund të ndodhë që ai të mos jetë më president. Por, mesazhi i dërguar nga dy opozitarët kryesorë është i rëndësishëm dhe fort domethënës.

* * *

Në kohën kur qasja e presidentit amerikan për çështje e shtete të ndryshme vazhdon të trondisë, është e paparashikueshme çfarë mund të ndodhë. Natyrshëm, as Kosova dhe rajoni nuk mund të mbeten pa “u prekur”. Përderisa në Serbi e Bosnjë dhe Hercegovinë ka lëvizje interesante, në Kosovë edhe pas një muaji nuk dihet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Por, kjo nuk i ka penguar partitë opozitare dhe pushtetin që të shkëmbejnë mesazhe të mbushura plot vrer.

Përderisa partia fituese pret certifikimin e zgjedhjeve për të ndërmarrë hapa drejt krijimit të qeverisë, partitë opozitare përsëritin se nuk do të përfshihen në koalicion qeveritar, por do ta krijojnë qeverinë vetë. Se në çfarë mënyrë do të krijohet qeveria e re nga kushdoqftë ose a do të krijohet fare mbetet e paqartë. Të paktën deklarimet e deritashme janë më shumë deklarime inati, sesa qartësim i rrugës për të krijuar qeverinë e re.

Duke përcjellë mesazhet e politikanëve në Kosovë të krijohet përshtypja se ata përnjëmend nuk e kanë të qartë se bota po ndryshon me shpejtësi, se me shpejtësi duhet përshtatur politikës dhe gjeopolitikës dhe se duhet të gjenden shpejt në rreshtimet e reja. Ata vazhdojnë të mos shohin përtej interesave personale dhe partiake, një shenjë kjo e mungesës së pjekurisë politike dhe papërgjegjësi në marrjen e vendimeve të duhura.

Në një krahasim hipotetik me gjendjen në Ukrainë, jam skeptik që qasja do të ishte e njëjtë. Ka raste e raste kur politika kosovare ia ka huqur të marrë vendime në kohë të duhur. Natyrisht, ka edhe raste të tjera kur, megjithatë, ia ka dalë të bëhet bashkë dhe të rreshtohet drejt. Një ndër provat e rëndësishme është situata e re me SHBA’të dhe Europën. Dilema e madhe është a mund të tejkalohen ndasitë në Kosovë.

Të fundit nga rubrika