Centrali bërthamor i Zaporizhzhia është më i madhi në Evropë, i aftë për të prodhuar mijëra megavat energji elektrike. Por për shkak të luftimeve që po ndodhin në qytetin ku ndodhet centrali, rreziqet që ky central mund të shkaktojë janë katastrofale.
Reaktori i fundit operativ në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia (ZNPP) është mbyllur pasi një linjë transmetimi që lidh centralin me sistemin energjetik të Ukrainës është restauruar, tha të dielën agjencia bërthamore e vendit Energoatom, raporton CNN.
Centrali, kompleksi më i madh bërthamor i këtij lloji në Evropë, u “mbyll plotësisht” pasi njësia e energjisë numër 6 e centralit u shkëput nga rrjeti në orën 3:41 të mëngjesit me orën lokale, tha agjencia në një deklaratë, duke shtuar se “marrëveshjet për ftohjen dhe kalimin e tij në gjendje të ftohtë janë duke u zhvilluar”.
Energoatom tha se një nga linjat e transmetimit u rivendos në kapacitetin e saj operativ të shtunën, duke bërë të mundur furnizimin me energji të centralit nga sistemi energjetik i Ukrainës dhe mbylljen e njësisë së energjisë numër 6 dhe transferimin e saj në “gjendjen më të sigurt – mbylljen e ftohtë”.
Reaktori u shkëput nga rrjeti ukrainas javën e kaluar, i cili funksiononte në një “modalitet ishullor”, duke prodhuar energji elektrike dhe duke përdorur energjinë e tij për t’i fuqizuar sistemet e ftohjes.
Javën e kaluar, një raport nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) bëri thirrje për “krijimin e menjëhershëm të një zone mbrojtëse të sigurisë dhe të sigurisë bërthamore” rreth centralit bërthamor.
“Ekziston një nevojë urgjente për masa të përkohshme për të parandaluar një aksident bërthamor që vjen nga dëmtimi fizik i shkaktuar nga mjetet ushtarake”, shkruan IAEA në raportin e saj.
Raporti i shumëpritur erdhi disa ditë pasi Drejtori i Përgjithshëm i IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) Rafael Grossi, udhëhoqi një mision ekspertësh në Zaporizhzhia, në atë që ishte vështrimi i parë i pavarur për gjendjen e objektit që nga koha kur Rusia e pushtoi atë.
IAEA bën thirrje për një zonë sigurie rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia