Ukraina tha më 3 prill se forcat ruse ishin “shumë larg” nga kapja e qytetit lindor të Bakhmutit, dhe se beteja ishte rreth ndërtesës së administratës së qytetit, ku grupi mercenar Wagner pretendoi se kishte ngritur flamurin rus.
“Bakhmut është ukrainas dhe ata nuk kanë kapur asgjë dhe janë shumë larg që ta bëjnë këtë”, i ka thënë mediumit Reuters me telefon, Serhiy Cherevatiy, zëdhënës i komandës ushtarake lindore.
Zyrtarë ushtarakë të Ukrainës kanë thënë në fund të marsit se forcat ruse kanë shënuar “një shkallë suksesi” në qytetin e vijës së frontit në lindje të Ukrainës, Bakhmut.
Ata shtuan se ushtarët ukrainas po vazhdojnë ende betejën disamujore, në të cilën, të dyja palët kanë pësuar një numër të madh viktimash.
Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar rus, Wagner, ka thënë më 29 mars se luftimet për qytetin ukrainas të Bakhmutit kanë shkaktuar dëme të rënda në forcat e tij, por edhe në palën ukrainase.
Qyteti i Bakhmutit dhe qytetet përreth të rajonit industrial lindor të Donjeckut, kanë qenë caku qendror i sulmeve gjatë 13 muajve qëkur ka nisur lufta në Ukrainë.
Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për ta çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës, kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.