Ushtria e Ukrainës ka thënë se e ka zmbrapsur një tentativë për sulm ajror nga forcat ruse në një aeroport ukrainas më 23 qershor.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha se kjo ishte pjesë e një tjetër vale “masive” të sulmeve ruse në mbarë Ukrainën gjatë natës.
Rusia ka shtuar në mënyrë drastike frekuencën dhe intensitetin e sulmeve ajrore drejt infrastrukturës dhe qyteteve të Ukrainës, veçanërisht drejt Kievit, që nga fillimi i muajit të kaluar. Këto sulme kanë sjellë viktima të shumta civile dhe dëme të mëdha materiale.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se ajo rrëzoi 13 raketat lundruese të lëshuara nga Rusia në një sulm gjatë natës, në një aeroport ushtarak në rajonin qendror të Khmelnitskiy. Në deklaratën e publikuar më 23 qershor, ushtria shtoi se sulmi u krye rreth mesnatës nga avionë strategjikë që vinin nga drejtimi i Detit Kaspik.
“Përveç kësaj, mbrojtja ajrore e shkatërroi një dron të një lloji të panjohur”, thuhet në deklaratën e publikuar, shkruan REL.
Ndërkohë, një tjetër alarm për sulme ajrore u dëgjua për disa orë gjatë natës në mbarë Ukrainën pasi forcat ruse sulmuan me një numër të madh raketash dhe dronësh, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se pasojat e sulmeve “masive” ishin ende të paqarta.
Në valën e mëparshme të sulmeve, më 22 qershor, Rusia kishte përdorur tri raketa hipersonike Kinzhal, tha Shtabi i Përgjithshëm.
Në fushëbetejë, forcat ruse vazhduan përpjekjet për t’i sulmuar pozicionet ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm. Luftime të ashpra u raportuan në Lyman, Bahmut, Avdijivka dhe Maryinka, ku janë zhvilluar më shumë se 30 beteja gjatë 24 orëve të fundit.
Vala e fundit e sulmeve të Rusisë erdhi një ditë pasi një urë kyçe që lidh Krimenë e aneksuar nga Rusia me pjesën e pushtuar të rajonit jugor të Ukrainës, Herson, u dëmtua, pasi u godit nga ato që Moska tha se ishin raketa Storm Shadow të dhuruara nga Britania e Madhe.
Sulmi u krye në urën e njohur si “porta e Krimesë”, rrugën më të shkurtër nga Gadishulli i Krimesë në vijën e frontit në Ukrainën jugore. Kjo cilësohej si një lidhje kyçe për linjën e furnizimit të Rusisë.
Zyrtarët e emëruar në këtë rajon nga Rusia thanë se rruga në urë ishte dëmtuar, por nuk pati të lënduar, ndërsa shtuan se ishin hapur rrugë alternative të transportit.
Rusia e aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014. Ukraina është zotuar se do ta rimarrë atë.
Që nga fillimi i kundërofensivës të saj të shumëpritur, ushtria ukrainase ka arritur të rimarrë disa fshatra në Ukrainën jugore të pushtuar nga Rusia.