Rusia lëshoi në rajonin jugperëndimor të Odesës disa dronë të prodhuar nga Irani, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile, por jo në viktima, tha ushtria ukrainase më 4 prill.
Gjithsej 17 dronë Shahed – që prodhohen nga Irani – u lëshuan në rajonin e Odesës dhe “14 prej tyre u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore të komandës jugore”, njoftuan Forcat Ajrore të Ukrainës, në përditësimin e mëngjesit.
“Një dron goditi një objekt civil në rajonin e Odesës, duke shkaktuar një zjarr, por pati viktima”, tha Serhiy Bratchuk, një zëdhënës i administratës ushtarake, shkruan REL.
Ushtria tha se luftimet për kontrollin e Bahmutit në rajonin lindor të Donjeckut vazhduan pavarësisht pretendimeve ruse se kanë pushtuar qytetin.
“Mbrojtësit ukrainas zmbrapsën 69 sulme ruse gjatë ditës së kaluar, me “betejat më të ashpra që vazhduan në Bahmut, Avdiyivka dhe Maryinka”, tha Shtabi i Përgjithshëm.
Ukraina tha më 3 prill se forcat ruse ishin “shumë larg” nga kapja e qytetit lindor të Bahmutit dhe se beteja ishte rreth ndërtesës së administratës së qytetit, ku grupi mercenar Wagner pretendoi se kishte ngritur flamurin rus.
Qyteti i Bahmutit dhe qytetet përreth të rajonit industrial lindor të Donjeckut kanë qenë caku qendror i sulmeve gjatë 13 muajve që kur ka nisur lufta në Ukrainë.
Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.