Ukraina thotë se ushtria ruse ka shënuar sukses në Bahmut

Qyteti i Bahmutit dhe qytetet përreth të rajonit industrial lindor të Donjeckut kanë qenë caku qendror i sulmeve gjatë 13 muajve qëkur ka nisur lufta në Ukrainë

Zyrtarë ushtarakë të Ukrainës kanë thënë se forcat ruse kanë shënuar “një shkallë suksesi” në qytetin e vijës së frontit në lindje të Ukrainës, Bahmut. Ata shtuan se ushtarët ukrainas po vazhdojnë ende betejën disamujore, në të cilën të dyja palët kanë pësuar një numër të madh viktimash.

Në pjesën jugore të Ukrainës, shefi i mbikëqyrjes bërthamore të Kombeve të Bashkuara tha se kishte një rritje të konsiderueshme të numrit të trupave në rajonin e centralit bërthamor Zaporizhja, të pushtuar nga Rusia, dhe se ky central nuk mund të mbrohet më.

Qyteti i Bahmutit dhe qytetet përreth të rajonit industrial lindor të Donjeckut kanë qenë caku qendror i sulmeve gjatë 13 muajve qëkur ka nisur lufta në Ukrainë.

“Forcat armike patën një shkallë suksesi në aksionet e tyre që mësynin qytetin e Bahmutit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një raport të publikuar më 29 mars, shkruan REL.

“Mbrojtësit tanë po mbajnë qytetin dhe po zmbrapsin sulme të shumta të armikut”, thuhej më tutje.

Sipas raportimeve nga ushtria ukrainase, numri mesatar i sulmeve ditore ruse në vijën e frontit ka rënë në katër javët që nga fillimi i marsit. Në shtatë ditët e fundit janë raportuar 69 sulme, krahasuar me 124 gjatë javës 1-7 mars. Vetëm 57 sulme u raportuan të mërkurën.

Javën e kaluar, gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters, pranë vijës së frontit në Bahmut, raportuan gjithashtu për një rënie të dukshme të intensitetit të sulmeve ruse.

Zyrtarët rusë thonë se forcat e tyre janë ende duke kapur terren në luftimet në rrugët brenda qytetit të Bahmutit.

Reuters nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione nga vija e frontit.

“Nuk mund të mbrohet”

Centrali bërthamor Zaporizhja u mor në kontroll nga trupat ruse gjatë javëve të para të luftës një vit më parë dhe përpjekjet për të reduktuar luftimet dhe bombardimet përreth këtij centrali kanë dështuar, pavarësisht frikës se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi bërthamore.

Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), në një vizitë të sërishme në këtë central të mërkurën, u tha gazetarëve rusë se kishte pasur një “rritje të konsiderueshme” të numrit të trupave në rajon.

“Është e qartë se aktiviteti ushtarak po rritet në të gjithë rajonin. Kështu që centrali nuk mund të mbrohet”, tha ai.

Grossi tha se ai planifikon të propozojë masa specifike mbrojtëse për centralin, që mund të jenë të pranueshme si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën.

Centrali ishte pjesë e çmuar e rrjetit energjetik të Ukrainës dhe ishte përgjegjës përreth 20 për qind të prodhimit kombëtar të energjisë para se të niste lufta. Ajo nuk ka prodhuar energji elektrike që nga shtatori, kur reaktori i fundit i tij u shkyç.

“Fokusi i zhvendosur”

Analisti ushtarak ukrainas, Oleh Zhdanov, i cili ka shërbyer në ushtri, tha se përderisa ofensiva ndaj Bahmutit mbetet intensive, “konkluzioni është se trupat ruse kanë filluar të nxitojnë nga një vend te tjetri”.

“Tani duket se armiku e ka zhvendosur fokusin në vetë qytetin – këtu po zhvillohen luftimet më të ashpra tani”, tha Zhdanov në një video në YouTube.

Një tjetër analist ushtarak ukrainas, Roman Svitan, i cili është gjithashtu kolonel në ushtrinë rezervë të Ukrainës, tha se situata në Bahmut është stabilizuar dhe se detyra kryesore e ukrainasve atje, për të shkatërruar forcat ruse, po realizohej.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha në një postim në rrjete sociale se megjithëse humbjet janë të pashmangshme, “humbjet e armikut janë shumë herë më të mëdha”.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika