Një prej sallave të objektit të komunës së Zveçanit, është mbushur me pjesëmarrës jo të zakontë.
Gjithë këta persona, mbajnë pozita të ndryshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Kështu, përfaqësuesit e Zveçanit, Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut e Zubin Potokut në këtë mënyrë kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët.
Në të kanë kërkuar që brenda shtatë ditëve të arrihet një marrëveshje për targa dhe dokumente.
Në të kundërtën, kanë kërcënuar me largim nga institucionet.
“Nëse nuk arrihet një zgjidhje kompromisi, ne përfaqësuesit politik të serbëve, së bashku me bashkëpunëtorët tanë do të nisim procesin e largimit nga të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet qendrore dhe lokale, e deri te gjykatat, policia dhe prokuroria, që shkatërron plotësisht procesin e Brukselit”, ka thënë Sergan Milosavleviq, kryetar i Kuvendit të Zveçanit.
Milosavleviq ka folur edhe për takimin e së dielës me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq.
“Kemi marrë garanci të qarta dhe të forta nga Presidenti Vuqiq, se nuk do të lejohen persekutimet dhe masakrat. Populli serb nuk do të jetë vetëm”, ka deklaruar Milosavleviq.
Milosavleviq ka qenë i vetmi që ka mbajtur fjalim pas mbledhjes.
62 pjesëmarrësit, me votë unanime kanë votuar një deklaratë që përmban shtatë pika.
Në të kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sipas marrëveshjes së Brukselit, e i kërkohet KFOR-it që të përkujdeset për paqen në bazë të rezolutës 1244.
Pjesë e kësaj mbledhje, kanë qenë edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ata në këtë takim kanë marrë pjesë të uniformuar, përderisa disa prej tyre janë parë edhe duke duartrokitur bashkë me masën pas votimit të deklaratës.
Televizioni Dukagjini është në pritje të përgjigjeve nga Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës në lidhje me pjesëmarrjen e policëve në këtë aktivitet.
Përgjatë tërë kohës, ky flamur i UNMIK-ut ka qëndruar i vendosur në tavolinën kryesore.
E jashtë objektit, në kohën sa po mbahej mbledhja, janë parë duke e vrojtuar situatën edhe këto dy vetura të KFOR-it italian.