Noizy ka reaguar sërish lidhur me incidentin në diskotekën e Pejës, ku u raportua se ai bashkë me shokë rrahën brutalisht Tiktokerin, Medi Iseni dhe një të afërm të tij.
Reperi shqiptar ka reaguar pasi Policia e Kosovës edhe zyrtarisht me ndihmën e qytetarëve po kërkon arrestimin e tij.
Ai ka deklaruar se kallëzimi penal ndaj tij është i rrejshëm dhe që s’ka gisht në këtë rast.
Reagimi i plotë i Noizyt në Facebook:
Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatikë si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero!
Dua ta nis këtë reagim me një ndjesë të thellë ndaj atyre që janë shqetësuar nga reagimi im. Kjo ka ardhur si pasojë e indinjatës për një kallëzim të rremë e të padrejtë ndaj meje, pasi kurrë nuk jam përballur me situata të tilla e për pasojë fatkeqësisht nuk kam reaguar në nivelin që do të doja.
Edhe njëherë, ndjesë. Mirëkuptoj edhe median që bën punën e saj dhe i kërkoj ndjesë nëse janë keqkuptuar nga reagimi im i nxituar.
Sa më lart dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrësesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë.
Bashkë me studion e avokatisë të kontraktuar nga unë, do të kontribuojmë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj meje dhe sqaruar këtë ngjarje, ku unë jam viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk kam asnjë lidhje.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin e përkrahjen dhe kërkuar ndjesë për këtë situatë të shëmtuar ku më kanë përfshirë. Rigelsi, ka shkruar ai.