Analisti, Blerim Canaj, ka deklaruar se Ura e Ibrit nuk mund të hapet pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, hapjen e Urës së Ibrit e ka cilësuar si qëllim të mirë.
“Ka qenë një periudhë kur Kosova së paku në arenën ndërkombëtare është parë si një shtet i ri me tendencë të të qenit model i paqes në rajon, dhe duke qenë model i paqes ka qenë më lehtë që të hapet ura, përderisa sot kemi kaluar në çështje të sigurisë me ardhjen e Albin Kurtit. Pse? Pikërisht duke i marrë këta hapa të cilët jemi mësuar që t’i shohim pa koordinim me faktorin ndërkombëtar. Hapja e urës ndodh vetëm në koordinim me ta. Është qëllim i mirë. Me vetë faktin që është futur në një debat publik, madje merret si çështje problematike… edhe këtu pa një avokat nuk mund të zgjidhet e në këtë rast avokati ynë është faktori ndërkombëtar, SHBA-të shumë më shumë dhe të tjerat”.
“Në Këshillin e Evropës duke na u hapë dera, dështuam. Në momentin që i erdhi rendi Albin Kurtit, e dështoi. Ura e Ibrit nuk hapet, ka koordinim me Bashkësinë Ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Canaj potencoi edhe deklaratat e qytetarëve serbë të cilët kanë shprehur dëshirën që Ura e Ibrit të hapet.
“Me vetë faktin se ajo është bërë një problem politik dhe trajtohet si i tillë, dhe për t’u trajtuar si i tillë gjithmonë na është dashur interferimi. Tash po i shohim disa deklarata të serbëve të cilët janë për ta hapur urën… për herë të parë po i dëgjojmë palën serbe që janë për hapjen e urës që më herët nuk ka qenë kjo”.
Megjithatë, ai pati sërish kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Albini çka ka arritur të bëjë me serbët është që ka arritur t’i fusë krejt në Listën Serbe”, tha ai.