Uragani Idalia goditi të mërkurën rajonin Big Bend të Floridës me erëra me shpejtësi prej 200 kilometrash në orë dhe shira që kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të rënda të shtëpive, bizneseve dhe makinave.
Stuhia më pas përfshiu shtetin e Xhorxhias me erëra me shpejtësi prej 140 kilometrash në orë, duke përmbytur rrugët dhe duke detyruar evakuimin e shumë banorëve.
Guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se nuk kishte vdekje të konfirmuara në Florida, pavarësisht se dy aksidente fatale të trafikut në dy qarqe mund të jenë të lidhura me stuhinë.
Zyrtarë shtetërorë, 5500 trupa të Gardës Kombëtare dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar në përpjekjet e kërkim shpëtimit, inspektimin e urave, pastrimin e rrugëve nga pemët e rrëzuara dhe objekte të tjera, si dhe për të ndihmuar këdo që mund të jetë në rrezik.
Gati gjysmë milioni njerëz në Florida dhe Xhorxhia mbetën pa energji elektrike. Edhe shtetet e Karolinës së Jugut dhe Karolinës së Veriut pritet të ndikohen nga shiu dhe erërat e forta që po sjell uragani Idalia./VOA