Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Republikën e Shqipërisë, një ekip i FARSH-it është duke realizuar trajnimin bazik për kërkim-shpëtim urban në Qendrën Ndërkombëtare për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH) të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, trajnimi ka për qëllim të bëjë përgatitjen dhe aftësimin e pjesëmarrësve për kryerjen e Operacioneve Reale të Kërkim-Shpëtimit Urban.
“Vëllezërit e motrat tona, ushtarakë e ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) trajnohen në Qendrën Ndërkombëtare për Kërkim- Shpëtim të FSK-së. Përveç personelit nga FARSH dhe FSK, pjesë e këtij trajnimi janë edhe pjesëtarë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME)”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Me sloganin “së bashku gjithmonë jemi më të fortë”, sipas Mehajt, QNTKSH ka ngritur hapësirat trajnuese duke krijuar infrastrukturën e duhur për realizimin e trajnimeve bazike dhe të avancuara në fushën e kërkim-shpëtimit, si dhe certifikimin e kuadrove vendore dhe atyre ndërkombëtare.
Teksa ka publikuar pamje nga stërvitja e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka theksuar se udhëheqësit e së ardhmes, të cilët i quan “ujqërit e rinj”, janë të fortë dhe në gjendje të mirë fizike e psikike.
Ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar se kadetët u janë nënshtruar testeve të përgatitjes fizike derisa të dielën e dy tetorit kanë praktikuar ecjen me pesha të rënda.
“’Aromë Beteje’ është ecja e kadetëve tanë me pesha të rënda e përcjellë nga 2 km vrapim. Kadetëve iu tesuan pothuajse të gjithë komponentët e përgatitjes fizike, si qëndrueshmëria, forca dhe kondicioni fizik”, ka shkruar Mehaj.
Ndryshe, në konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”, e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-së, ministri i këtij dikasteri, Armend Mehaj, ka thënë se FSK po e rrit profesionalizimin.
Teksa ka falënderuar anëtarët e të gjitha vendeve për përkrahjen e FSK-së, Mehaj një falënderim të veçantë ia atribuoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e FSK-së dhe procesin e anëtarësimit në NATO.
“Ne po rrisim profesionalizmin, kapacitetet tona, na keni premtuar dhe keni aprovuar pakon legjislative në veçanti me konstituimin dhe harmonizimin e këtyre kërkesave në procesin drejt NATO-s”, ka thënë Mehaj.
“Do t’ju falënderoja për bashkëpunimin me partnerët tanë për paqen, stabilitetin dhe paqen ne rajon. Siç e dini, Kosova është një vend i vogël, por me zemër dhe me vlera të larta. Të nderuar me këtë rast falënderoj ShBA-në dhe aleatët, faleminderit për forcimin e FSK-së”, shtoi ai.
Mehaj ka potencuar se Kosova është një vend i vogël, por me zemër e vlera të mëdha.