Mbi 800 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë bërë bashkë për të krijuar portretin e një patrioti kombëtar, i cili gjithmonë e kishte ëndërruar Kosovën të pavarur e me ushtri moderne.
Këta ushtarë zgjodhën në këtë formë ta nderojnë figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, në prag të Epopesë së UÇK-së.
Kjo video e shoqëruar me tingujt e këngës kushtuar komandantit është publikuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Këtë moment dikush e kishte projektuar në mendje paraprakisht. Është ideatori i kësaj vepre, Besart Gashi i cili për Dukagjinin tregoi prapaskenat e realizimit të saj.
“Në të vërtetë ka qenë e zorshme të realizohet sepse është një vepër e madhe. Gjatësia e saj është 25 metra dhe janë dashur mbi 700 pjesëtarë të FSK-së të realizohet, të gjithë kanë ardhur pa hezitim. E falënderoj gjeneralin Cikaçi i cili pa hezitim ka pranuar ofertën time dhe të gjithë mbështetjen që ma ka dhënë jo vetëm ai por gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka theksuar Besart Gashi – Artist.
Gashi tregon që pavarësisht rezultatit të kënaqshëm, moti nuk ishte në anën e tyre.
“Kushtet atmosferike nuk ishin në favor timin kësaj radhe, e kam vizatu me datën tre mars krejt atë vizatim dhe kur jam çuar në mëngjes s’ka pas asgjë aty sepse e ka fshi shiu, kurse e falënderoj z.Raci i cili e ka marrë përgjegjësinë, ka bërë matjet, pikat dhe është realizuar kjo vepër arti”, ka shtuar Besart Gashi – Artist.
E, krejt këtë moment i cili u shpërnda dhe u vlerësua nga shumë njerëz në rrjete sociale, Gashi e ideoi vullnetarisht.
Ministria e Mbrujtjes e nderoi të shtunën Adem Jasharin edhe me disa rreshta:
Marshojmë pas teje Komandant, Të pandalshëm, Të pathyeshëm, Triumfues, Përjetësisht, Adem Jashari, Emblema dhe Flamuri ynë!.